Rrugët e Durrësit po kthehen çdo ditë e më shumë në pista gare për shoferë që ngasin makinën me sjellje tërësisht të papërgjegjshme, pa marrë parasysh pasojat që mund të shkojnë deri në humbje jete.
Shpejtësi të çmendura, manovra të rrezikshme, parakalime në mes të qytetit dhe zero respekt për rregullat bazë të qarkullimit. Kjo është tabloja e përditshme që përjetojnë qytetarët, duke ndjerë rrezikun jo vetëm si këmbësorë, por edhe si drejtues mjetesh të tjera, një rast konkret është dhe ky që po publikojmë ku një mjet taksi kryen manovra të rrezikshme në rrugën “Mars 91” duke rrezikuar jo vetëm këmbësorët por edhe mjetet e tjera.
Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, pas një denoncimi të bërë në rrjetet sociale, Policia e Durrësit ndërhyri dhe mori masa ndaj një rasti të tillë, duke identifikuar dhe proceduar një shofer që u filmua teksa drejtonte mjetin në mënyrë agresive dhe të rrezikshme.





