14 maj 2015 –Prej rreth një viti shoferët polakë (meshkuj e femra) janë specializuar në dërgimin e klandestinëve shqiptarë në Angli. Në të paktën 10 raste në Francë, Angli, Belgjikë dhe Holandë, shoferët polakë janë kapur me klandestinë shqiptarë në kamion. Në ndonjë rast klandestinët shqiptarë kanë përfunduar tragjikisht, madje edhe të djegur të gjallë. Klandestinët maskohen nën ngarkesa të tilla si lavatriçe, panele polisteroli, bredha të Vitit të Ri etj.
Rasti më i fundit u konstatua në pikën doganore holandeze të Hoek Van Holland, ku një kamion me shofer polak 40-vjeçar, para se të imbarkohej në traget për në Angli iu nënshtrua kontrollit doganor. Pas një ngarkese me soba elektrike u zbuluan 9 klandestinë shqiptarë. Kamioni vinte erë të fortë kafeje, por aroma e kafesë nuk e pengoi Kiran, qenin e doganës, që të zbulonte klandestinët e fshehur në kamion. Shoferi polak u arrestua menjëherë, ndërsa klandestinët u dërguan në një qendër pritjeje, ku pas procedurave të identifikimit do të dëbohen për në Shqipëri.
Bandat e organizuara kriminale në bashkëpunim me ish-Sb-eksa (fuksa, spiunë) polakë kanë ndërtuar një rrjet efikas për dërgimin e klandestinëve shqiptarë dhe jo vetëm në Angli.
/Gj.Th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/