TIRANE , 22 nëntor 2013– Ndryshe nga sa u raportua mbrëmjen kur ndodhi aksidenti, sikur deputeti Olldashi i kishte telefonuar shoferit të tij pas përplasjes duke kërkuar ndihmë, duket se nuk ka ndodhur kështu. I pyetur nga oficerët e Policisë Gjyqësore në cilësinë e personit të fundit që ka komunikuar me Olldashin, shoferi i tij ka deklaruar se ai ka qenë duke folur me të në telefon para se të ndodhte aksidenti. Më pas ka dëgjuar një zhurmë dhe sinjali është ndërprerë. Aty ka filluar të dyshojë se diçka mund të kishte ndodhur dhe ka tentuar t’i telefononte sërish, por celulari i Olldashit dilte i fikur. Në këtë moment ka njoftuar deputetin Igli Cara, i cili ka provuar po ashtu të lidhej me telefon me mikun e tij, por edhe ai ka konstatuar të njëjtën gjë. I ka telefonuar sallës operative të Policisë së Tiranës duke njoftuar se Olldashi mund të kishte pësuar një aksident sapo kishte kaluar tunelin e Kërrabës dhe ishte drejtuar për në kryeqytet, ndërkohë është nisur për në vendngjarjen e dyshuar.
“Kam qenë duke folur në telefon me Olldashin në momentin kur ka ndodhur aksidenti. Më mori vetë sapo kishte kaluar tunelin dhe po zbriste dishezën për te Lapidari. Më tha që po kthehej nga Elbasani dhe sapo kishte dalë nga tuneli e po zbriste për në Tiranë. Në atë moment dëgjova një zhurmë të çuditshme dhe telefonata u ndërpre. Tentova ta marr sërish dhe celulari dilte i fikur. Më pas i telefonova Igli Carës dhe i thashë që diçka e keqe mund t’i kishte ndodhur Olldashit, duke i shpjeguar edhe momentin” – ka deklaruar shoferi i deputetit Sokol Olldashi.
Ndërsa mbrëmjen kur ndodhi aksidenti u komentua sikur Olldashi i kishte telefonuar vetë shoferit në momentin e aksidentit, gjë që sipas ekspertëve ka qenë e pamundur.





