6 shkurt 2015 –  Në njërën anë të limuzinës qëndronte 5 – vjeçarja Bobbi Kristina duke luajtur me kukullën e saj të preferuar, ndërsa në anën tjetër prindërit e vogëlushes, këngëtarja Whitney Houston dhe bashkëshorti i saj Bobby Brown, të cilët bënin kokainë në sy të vajzës. Ky rrëfim ekskluziv vjen nga Al Bowman, shoferi personal i këngëtares së ndjerë Houston, vajza e së cilës, po lufton për jetën pasi ndodhet në gjendje kome. Duke folur për tabloidin britanik Dailymail, Bowman rrëfen sesi çifti bënte kokainë në sy të vajzës së vogël dhe i thonin asaj se “mami dhe babi po bëjnë gjëra të rriturish”. Shoferi i Houston i referohet vitit 1998, kur çifti doli hapur sa i përket varësisë së tyre ndaj drogës dhe nisën ta bënin këtë të fundit në sy të vajzës Bobbi.

Sot, 21- vjeçarja ndodhet në spital në gjendje kome, pasi u gjet pa ndjenja në vaskën në shtëpinë e saj në Roswell, Georgia të SHBA. Familja e saj dhe i mbarë opinion publik po përgatitet për më të keqen, ndërsa mjekët janë shprehur se nuk mund të bëjnë më asgjë për Bobbi Kristinën. Shkaqet e këtij incidenti mbeten ende të panjohura, ndërsa dyshimet çojnë në një overdozë të mundshme të 21 – vjeçares. Nëna e saj, Whitney Huston vdiq në vaskë nga një overdozë “aksidentale” tre vite më parë, në rrethana të ngjashme.