Tiranë, 27 korrik 2014 – Policia e Tiranës ka ndaluar sot katër persona, 3 meshkuj dhe një femër dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, Arben Hajdarin, person ky me precedent penalë, për goditjen e efektivave të Policisë së Qarkullimit Rrugor.
Ndalimi i tyre ka ardhur pasi policia ka gjobitur sot dy autobuzë të linjës Tiranë – Durrës, të cilët, duke u ndalur në autostradë për të marrë pasagjerë, po ktheheshin në rrezik serioz për makinat e tjera që udhëtonin pas tyre.
Por, pronari i njerit prej autobuzëve, Arben Hajdari, ka reaguar ashpër ndaj gjobës së vënë dhe dhe sëbashku me tre persona të tjerë, ndër ta fatorinon, kanë ofenduar njerin prej policëve me iniciale E.S. e madje, fatorinoja edhe e ka goditur policin.
Menjëherë pas këtij veprimi, fatorinoja dhe dy personat e tjerë janë ndaluar dhe shoqëruar nga policia në Komisariatin nr.2 të Tiranës, kurse Arben Hajdari u shpall në kërkim. Mjeti me të cilin ai udhëtonte, u ndalua, pasi drejtohej nga femër e papajisur me patentë.
Policia e Tiranës ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur në afësi të mbikalimit të Kasharit. Sipas saj, Arben Hajdari, është një person me precedentë të mëparshëm për forcat e qarkullimit rrugor.
Disa muajsh më herët ai ka tentuar të godasë me mjetin e tij një postobllok policie, por u ndalua dhe u arrestua. Gjykata kishte vendosur ndaj tij, masën “detyrim paraqitje”.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





