TEPELENE, 14 maj 2013– Inspektori i Agjencisë së Mjedisit në Gjirokastër u vra si hakmarrje pas divorcit.

“Panorama” shkruan sot se ngjarja ndodhi në afërsi të  Grykës së Këlcyrës, rreth 300 metra larg hyrjes së këtij qyteti. Sipas Policisë së Përmetit, vrasja ndodhi në orën 17:30 brenda një taksie, ndërsa viktima është shtetasi Andi Naçi.

Dëshmitar i ngjarjes është shoferi i taksisë, 46-vjeçari Robert Çoka. Ai udhëtonte nga Ura e Leklit për në Përmet. Sipas dëshmisë së tij, viktima ka hipur i pari në mjetin taksi në vendin e parë tek Ura e Leklit. Rreth 10 minuta më vonë në taksi ka ardhur edhe një person i panjohur, i cili është ulur në sediljen e dytë pas pasagjerit. Pasi kanë kaluar Grykën e Këlcyrës, shumë afër qytetit, pasagjeri i panjohur i ka kërkuar taksistit që të ndalonte me pretekstin se do të kryente nevoja personale. 46-vjeçari ka ndaluar makinën, por sipas dëshmisë së tij dhënë në polici, vrasësi ka hapur derën dhe kur nuk kishte dalë ende plotësisht nga makina, ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë dhe e ka shkrepur në drejtim të viktimës.

“Në shkrepjen e parë pistoleta nuk qëlloi. Por ai e shkrepi për së dyti me një shpejtësi të madhe, aq sa unë dhe viktima nuk patëm mundësi reagimi”, është shprehur në polici taksisti Robert Çoka.

Burime të Policisë bënë të ditur se viktima është qëlluar në mes të shpatullave dhe ka mbetur i plagosur rëndë. Autori i krimit ka mundur të dalë nga makina, ndërsa shoferi i frikësuar i ka dhënë gaz në atë moment mjetit, duke e çuar të plagosurin në Spitalin e Përmetit, ndërsa ka sinjalizuar edhe policinë. Në vendngjarje janë nisur forca të shumta policie, kryesuar edhe nga drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Ajet Ibro, si dhe zv.drejtori i Policisë, Ndue Doci. Ndërsa 28- vjeçari ka humbur jetën pak momente pas mbërritjes në spital. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se pista kryesore e hetimit ka të bëjë me një hakmarrje të mundshme ndaj viktimës. Kjo pasi ai kishte një histori personale të komplikuar.

Mësohet se 28- vjeçari ishte baba i një fëmije një vjeç e gjysmë dhe ishte ndarë nga bashkëshortja e tij me origjinë nga Burreli. Ata nuk ishin divorcuar ende ligjërisht, megjithatë mësohet se ndarja nuk kishte qenë e paqtë.

“Viktima është ndarë më 2 prill 2013, madje gjykata ka lëshuar në këtë datë një urdhër mbrojtjeje për bashkëshorten e tij, pasi Naçi ushtronte dhunë ndaj saj”, bënë të ditur burime nga Policia e Përmetit.

Të njëjtat burime thanë se nuk përjashtohen as pista të tjera, por paraprakisht rezulton se i ndjeri nuk kishte probleme të tjera veç ndarjes nga e shoqja. Dyshohet se të afërm të kësaj të fundit e kanë ndjekur viktimën dhe e vranë atë për hakmarrje. 

/Panorama/