Në autostradën Durrës-Tiranë, policia rrugore ka konstatuar mbrëmjen e së shtunës një drejtuese mjeti që lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara.
Drejtuesja e mjetit L.D., u kap me 163 km/h, duke lëvizur në kushte të lagështirës në rrugë si pasojë e motit të keq.
Policia e Shtetit, teksa publikon pamjet gjatë aksioneve që kryen çdo fundjavë për konstatimin e shkeljeve rrugore, thotë se qëllimi nuk është as pezullimi i Lejes së Drejtimit, as sasia e masave administrative, por vetëm e vetëm siguria e jetës në rrugë.
APELI I POLICISË:
Reklamimi i shkeljeve të ndryshme të Kodit Rrugor ka një qëllim të vetëm: Sensibilizimin e drejtuesve të mjeteve dhe të këmbësorëve për zbatim të rregullave të qarkullimit rrugor, me qëllim që të shpëtohen jetë dhe jo të ndëshkohen fajtorët pas aksidentit, si dhe as të tregojmë se po punojmë se fundja detyrën që na paguajnë taksapaguesit bëjmë, por të bëjmë prezent fenomenin për ta parandaluar atë.
Duam sensibilizim që të gjithë së bashku të kontribuojmë për sigurinë e jetës në rrugë.





