Durrës, 15 prill 2014 – Gjendet i varur pak metra larg banesës një 13-vjeçar në Sektorin Rinia të Durrësit, policia nis hetimet Sipas Policisë, Bledar Xhagjaj, 13 vjeç, nxënës i klasës së gjashtë në shkollën 9-vjeçare "Rinia", është gjetur nga shokët e tij i varur në një pemë në afërsi të banesës. Burime nga policia sqarojnë se ishin shokët, të cilët sapo e kanë parë të varur në pemë i kanë hequr litarin nga fyti basshkëmoshatarit të tyre, por pa mundur t’i shpëtojnë jetën. Ata e kanë transportuar me makinë të rastit drejt spitalit të Durrësit, por pa mbërritur në duart e bluzave të bardha i mituri ndërroi jetë.

Menjëherë në vendin e ngjarjes mbërriti grupi hetimor, i cili nisi nga puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së rëndë. Sipas “Panoramës” në bazë të hetimeve paraprake hetuesit kanë ngritur disa pista: atë të vetvarjes, varjen nga persona të tjerë që mund të ketë patur ndonjë konflikt me familjen, apo vetë 13-vjeçarin, si dhe atë të ndonjë loje të mundshme mes adoleshentëve teksa ishin duke luajtur.

Familjarët e 13-vjeçarit kanë deponuar në polici se janë gjendur të papërgatitur, pasi fëmija nuk kishte shfaqur ankesa apo probleme të ndryshme. Sipas familjarëve, adoleshenti gëzonte shëndet të plotë si fizikisht ashtu dhe mëndërisht, ndërkohë frekuentonte klasën e 6-të të shkollës 9-vjeçare "Rinia", ku dhe ishte me rezultate të mira. Për të zbardhur misterin, policia do të marrë në pyetje sot shokët që e kanë gjetur të varur, nxënësit, si dhe mësuesit e shkollës 9-vjeçare "Rinia".

Në dëshminë e parë, shokët që e gjetën të varur 13-vjeçarin, kanë deklaruar se nuk ishin aty në ato momente dhe se e kanë konstatuar rastësisht teksa po kalonin rastësisht. Policia po grumbullon materiale për familjen Xhagjaj, me origjinë nga veriu, për të parë nëse kanë ndonjë konflikt të hapur me persona të tjerë. Adoleshenti jetonte me nënën, vëllain 20 vjeç dhe gjyshen në Sektorin Rinia, ndërsa i ati punon në Greqi.

Trupi i pajetë i adoleshentit ndodhet në morgun e Durrësit, ku ekspertët mjeko-ligjor po punojnë për përcaktimin e shkakut të vdekjes. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, nuk u bë e mundur zbardhja e dinamikës së ngjarjes. Policia deklaroi zyrtarisht se nga hetimet paraprake dyshohet të kemi të bëjmë me një vetë-varje, ndërsa nuk përjashtohet pista që adoleshenti të jetë varur nga persona të tjerë. 

Familjarët e 13-vjeçarit deklaruan në polici se adoleshtenti ishte kthyer si zakonisht nga shkolla dhe, pasi kishte konsumuar drekën, i kishte thënë gjyshes se do të dilte për të luajtur me bashkëmoshatarët e tij në lagje. "Nuk kemi asnjë dyshim. kemi mbetur të befasuar nga ngjarja, pasi nuk kishim menduar se do të përballeshim kurrë me një situatë të tillë. Bledi erdhi si gjithnjë nga shkolla, rreth orës 13:30, ku pasi hëngri drekën, doli të luante me bashkëmoshatarët e tij në lagje. Nuk dinim se ku ishte, vetëm kur na thanë shokët që Bledi ishte varur këtu pranë shtëpisë. Nuk kemi ide se përse është vetëvarur. Nuk kishte asnjë problem. Nuk dimë se çfarë të themi, nuk kemi asnjë dyshim",- thanë ndër të tjera familjarët e adoleshentit për grupin hetimor. 

/gazeta “Panorama”/