Një bar-kafe, subjekt i biznesit të vogël, i kërkohet të paguajë vetëm taksë hapësire aq sa do të paguante tatim fitimi një biznes i madh me të ardhura 10-15 herë më të larta…
Sa më shumë kalojnë ditët aq më shumë po bëhen publike përmasat e barrës së lartë fiskale që po u ngarkohet nga Bashkia e Tiranës subjekteve të kryeqytetit, që mbi të gjitha po rezulton se nuk ka asnjë logjike ekonomike.
Një subjekti bar-kafe në zonën e periferisë së liqenit, që nuk ka zënë asnjë trotuar, por shfrytëzon në bazë të marrëveshjes së rregullt një hapësirë publike, i ka dalë në sistem taksa e zënies së hapësirës publike prej 184,500 lekësh në muaj, nga 18,450 që ishte e njëjta taksë një vit më parë (shiko në foto të dhënat që i kanë dalë në sistem).
Administratorja e barit në fjalë, që e ka marrë në përdorim nga nëntori pohon se ajo mesatarisht ka një xhiro mujore prej 600 mijë lekësh, çka nënkupton se vetëm tarifa e zënies së hapësirës i kushton sa një e treta e të ardhurave, ndërsa subjekti ka dhe shpenzime të tjera, si qira, paga, energji, kosto materiale etj. Administratorja pohon se ajo nuk fiton në muaj aq sa i kërkohet të paguajë taksë zënie hapësire.
Subjekti në fjalë ka një xhiro vjetore prej 7.2 milionë lekësh, që e klasifikon atë si biznes të vogël me TVSH (kufiri i bizneseve të vogla është 8 milionë lekë). Për krahasim të shumës që asaj i kërkohet të paguajë në raport me xhiron, marrim disa raste për biznese të mëdha me qarkullim vjetor, duke filluar nga dy herë më të larta se kjo bar-kafe, me një normë të supozuar fitimit prej 20% të xhiros, që është një normë e kënaqshme. Nga tabela më poshtë rezulton se nëse marrin një subjekt me dyfishin e xhiros, ai duhet të paguajë këste mujore të tatim-fitimit prej 36 mijë lekësh, 5 herë më të ulët se taksa e hapësirës, që i kërkohet bar-kafesë në fjalë.
Vetëm subjekti me një xhiro 10 herë më të lartë, pra 72 milionë lekë, do të paguante një tatim fitimi prej rreth 180 mijë lekësh.
Krahas taksës së zënies së hapësirës, biznesi duhet të paguajë dhe taksën për çdo tavolinë prej 2500 lekësh në muaj, taksën e arsimit prej 4000 lekësh në vit, të pastrimit prej 10 mijë lekësh në vit. Këto nuk kanë dalë ende në sistem. Vetëm nga taksa për tavolinë subjekti duhet të paguajë edhe të paktën 77 mijë lekë në muaj (rreth 120 metra i llogaritur me 30 tavolina dhe me tarifën vendosje hapësira në muaj në hapësirat publike për tavolinë, që sipas tabelave të bashkisë është 2500 lekë). Duke shtuar dhe tarifën për tavolinë, subjekti vetëm për këto dy taksa do të duhet të paguajë rreth 260 mijë lekë, apo 40% të të ardhurave, një përqindje që do të ishte falimentuese për çdo lloj biznesi.
Për krahasim, një biznes i madh me një xhiro 15 herë më të lartë (rreth 108 milionë lekë) llogaritet të paguajë një tatim-fitimi mujor prej rreth 260 mijë lekësh. /MONITOR