Presidenti Filipinas Rodrigo Duterte vijon luftën kundër përdoruesve të drogës duke mos njohur limite e duke shokuar të gjithë.

Pasi legalizoi vrasjet e përdoruesve të drogës, ai tanimë u bën thirrje personave që kanë mbetur të papunë të gjejnë një armë e të vrasin përdoruesit e drogës. Sipas tij, ata po vijojnë të thithin fonde të pamerituara nga buxheti i shtetit për t’u shtruar në klinika rehabilitimi.

“Nëse keni humbur punën tuaj, ju jap unë një të re. Vrisni të gjithë përdoruesit e drogës”, deklaroi Duterte gjatë një fjalimi pasi ishte kthyer nga një vizitë zyrtare nga Katari.

Ai pati deklaruar më herët se: “Ndjehem shumë keq që jap 2,5 miliardë dollarë për qendrat e rehabilitimit të të droguarve. Por çfarë mund të bëj? Duhet t’i kuroj ata, ashtu si çdo qytetar tjetër në vend. Por unë ndjehem me të vërtet keq për këtë”.

Filipinet kanë një popullsi prej afro 100 milionë banorësh dhe papunësia është rritur nga 5,9% në 6,6%. Afron 9000 persona janë ekzekutuar prej qershorit të kaluar, kur Duterte erdhi në pushtet dhe autorizoi vrasjen pa gjyq të përdoruesve të drogës.