Në qytetin Arbon të kantonit Thurgau buzë liqenit Bodensee, një shofer zviceran taksie i indinjuar ka shkruar publikisht në “Facebok” se nuk pranon të transportojë më shqiptarë të Kosovës dhe shtetas të ish-Jugosllavisë. 55-vjeçari i cilëson si të pandershëm dhe të pa  respektueshëm duke fyer të gjithë shqiptarët e Kosovës, shkruan “Blick”, përcjell “albinfo.ch”.

Shkas për zemërimin e tij ishin disa incidente në të cilat disa të rinj dyshohet ta kishin mashtruar dhe ta kishin dëmtuar mjetin e tij.

Ai kishte shkuar për të marrë një grup të rinjve në Zyrih. “Kur arrita pas një orë e gjysme në stacionin kryesor ata ishin zhdukur tashmë.”

Pronari gjithashtu njoftoi për dëmtimin e taksisë. “Tani unë kam vrima në mjetin tim. Riparimi do të kushtojë më shumë se 1000 franga”, ka treguar i zemëruar zvicerani.

“Klienti është mbret, por për shkak se ju nuk silleni si një mbret, unë kam vendosur që të mos transportoj tani e tutje personat nga Kosova. Ju lutem të më lini vetëm dhe mos më kontaktoni!”, thotë taksisti zviceran.

Postimi i zviceranit ishte cilësuar si fyes dhe racist nga disa përdorues në “Facebook”. Madje ata janë irrituar me një cilësim të përgjithshëm të të gjithë shqiptarëve të Kosovës.