12korrik 2015 – Rikthehet dhe një herë historia e oficerit të SHISH, Isa Çopa, ekzekutuar në rrethana ende të pazbardhura në zonën e Currilave. Shoku i tij, me inicialet H.B. ka marrë dy mesazhe kërcënuese nga persona që nuk i identifikon dot. Gazeta Shqip shkruan sot se, ish-oficeri, i cili dha dorëheqjen nga puna pas vdekjes së shokut të tij, Isa Çopa, ka marrë dy sms, i pari që i kërkon të dalë në një takim me shkruesit e mesazhit. Kur ky nuk ka bërë që i thonë, mesazhi i dytë është kërcënues: “Pse nuk dole? Ne e dimë se çfarë ke bërë dhe prandaj fshihesh? Do të të bëjmë dhe ty atë që i bëmë shokut tënd në Currila”. Vetë ish-punonjësi i SHISH thotë se është paraqitur në prokurori, por kallëzimi i tij nuk është marrë, me argumentin se nuk provon gjë, por të paraqitet nëse kërcënimet vazhdojnë.

Isa Çopa u gjet i djegur në makinë 4 vite më parë, në Currila. Fillimisht u dyshua për vetëvrasje, por ekspertiza e mëvonshme tregoi se ai ishte qëlluar në kokë me mjete të forta e më pas i është vënë flaka mjetit bashkë me trupin e tij.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/