SHBA, 29 prill 2014 – Autoritetet në Ohio, SHBA, kanë vendosur të shtojnë dozat e ilaçit që përdoret në injeksionet vdekjeprurëse tek të dënuarit me vdekje në këtë shtet.
Masa është marrë pasi ekzekutimi i fundit, ai i 53 vjeçarit Dennis McGuire, që kishte përdhunuar dhe vrarë një grua shtatzënë, zgjati plot 25 minuta. Të dënuarit me vdekje iu desh një kohë e gjatë derisa dha shpirt. Agonia e tij u shoqërua me dridhje të fuqishme. Atij iu injektua një ilaç i patestuar më parë në SHBA.
Autoritetet e Ohio-s u mbrojtën me faktin se atyre u kishte mbaruar ilaçi që përdorej për injeksionet vdekjeprurëse. Kompanitë farmaceutike europiane, që i furnizonin me këtë medikament, nuk eksportonin më për arsye etike.
Më 19 maj, një tjetër të dënuari do t’i injektohet i njëjti kombinim medikamentesh që u përdor për McGuire.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





