Krujë, 4 shtator 2014 – Një ngjarje e rëndë është dokumentuar nga policia e Krujës ditën e djeshme.

Një 29 vjeçare, Eriona S., e pamartuar, ka sjellë në jetë në fshatin Borizan të Krujës, në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, një foshnje të seksit mashkull.

Menjëherë pas ngjarjes, 29 vjeçarja e ka mbytur fëmijën, e ngjizur nga një lidhje e saj, dhe më pas e ka varrosur në kopshtin e banesës së saj.

Efektivët e rendit kanë mbetur të shokuar, kur kanë zbuluar trupin e foshnjes në gropën e porsambyllur nga gruaja e re.

Ata i kanë vënë prangat Erionës, e akuzuar per vepren penale "Vrasje e foshnjes" dhe e kanë shoqëruar në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës në komisariatin e policisë.

Pritet që dëshmia e nënës së re të hedhë më shumë dritë mbi këtë çështje.

Për të mbuluar lidhjen e saj sekrete me një mashkull dhe mbetjen shtatzënë, duket se 29 vjeçarja ka zgjedhur t’i japë fund jetës së foshnjes së pafajshme që solli në jetë.

Policia e Krujës ka nisur punën për të zbardhur të gjithë ngjarjen dhe për të zbuluar nëse veprimin makabër 29 vjeçarja e ka kryer vetë apo është detyruar nga babai i foshnjes apo familjarë të saj të mbyste djalin e porsalindur.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/