Francë, 20 qershor 2014 – Pasi vrau me një thikë të shoqin, ajo i shqeu pjesët e trupit dhe më pas, pasi arriti t’i shkëpusë zemrën, hundën dhe organet gjenitale, i vendosi ato në një enë për t’i gatuar. Ngjarja, e cila ka ndodhur në qytetin francez Longwy, u zbulua vetëm një muaj pas krimit.

Hetuesit kishin ndaluar një grua të moshës 71 vjeçare me origjinë nga Algjeria, nënë e 10 fëmijëve, disa orë pas vrasjes, por pa e ditur ende se cilat pjesë të trupit ishin gatuar.

Krimi është kryer natën mes 21 dhe 22 majit. Gruaja u arrestua pak pas krimit, me duart dhe rrobat të lyera me gjakun e të shoqit. Hetuesit zbuluan menjëherë se viktima ishte vrarë nga të goditurat me thikë dhe më pas trupi i tij ishte copëtuar.

Vetëm pas një muaji ka dalë në pah e vërteta, se gruaja kishte gatuar zemrën, hundën dhe organet gjenitale të të shoqit. Nuk dihet ende nëse ajo i ka ngrënë më pas apo jo. “Kemi të bëjmë me një krizë të fortë mendore. Gruaja vuan nga probleme diletante”,- ka thënë avokatja mbrojtëse e 71 vjeçares Caroline Depretz.

Sipas avokatëve të çështjes, gruaja ka vuajtur edhe më parë nga probleme të rënda mendore dhe me personalitetin, por nuk është kuruar. Mund të thuhet se është çmendur plotësisht, duke parë reagimet e saj të fundit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/