Shoqata “Durrësi Autokton” ka festuar mbrëmjen e djeshme 35-vjetorin e krijimit të saj. Aktiviteti jubilar është zhvilluar në ambientet e Qendrës Kulturore të Fëmijëve Durrës në praninë e drejtuesve të kësaj shoqate dhe shumë të ftuarve..

Kryetari i shoqatës Abdulla Deliallisi, në fjalën përshëndetëse theksoi se ajo u krijua në 10 shkurt 1991, por ka një fillim më të hershëm akoma, mbështetur në shkrimet e historianit Danish Bebeziqi, që në vitin 1935.

Në këtë mbrëmje u shfaq për herë të parë edhe dokumentari “Shaban Murati-diplomati antitabu”, me rastin e 1-vjetorit të ndarjes nga jeta të diplomatit të njohur, “Nderi i qytetit të Durrësit”, Shaban Murati.

Në plot një orë, dokumetari hedh dritë rreth aktivitetit të gjatë të Shaban Muratit duke nisur si gazetar i radio Tiranës për 15 vjet në sektorin e jashtëm, dhe më pas si diplomat e ambasador në shumë shtete të ndryshme.

Publicist Ben Andoni, i cili ka bërë edhe skenarin e dokumentarit, u shpreh pas shfaqjes së tij në Durrës se Shaban Murati ishte një njeri i rrallë që kishte njohuri të thella për zhvillimet dhe politikën e rajonit, që dinte si të këshillonte dhe si të drejtonte për të arritur, por që iku me shqetësimin e madh se diplomacia jonë nuk nxirte mësime. Dokumentari në fjalë vjen me regji të Ylli Pepos.

M.B.