“Festa e pranverës” është tashmë një traditë në Durrës.

Aktiviteti i njohur nga qytetarët me emrin “Mikpritja Durrsake” u organizua pasditen e së enjtes nga shoqata “Durrësi Autokton” me mbështetjen e bashkisë.

Ceremonia e kthyer tashmë në një traditë të bukur u finalizua me koncertin festiv, i cili u mbajt në ambientet e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”, gjatë së cilës u nderuan me titullin e lartë “Nderi i qytetit të Durrësit”: Driada Dervishi, Zyhni Beqiraj, diplomati i karrierës Mal Berisha dhe studentja e UAMD-së, Xhulia Kurti.

Me 20 vite eksperiencë si regjisore, Driada Dervishi është një nga emrat e njohur të regjisurës, jo vetëm në qytetin bregdetar, por edhe më gjerë.

Zyhni Beqiraj, një intelektual i shquar durrsak, është një figurë e njohur e Partisë Socialiste, ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Dy emrat e tjerë të nderuar me titullin e rëndësishëm ishin ish-ambasadori Mal Berisha dhe studentja e UAMD-së Xhulia Kurti.

Gjatë ceremonisë së ndarjes së titujve u shfaqën 4 dokumentarë, të realizuar nga Astrit Tahiri dhe Tristan Sherifi, rreth jetës së të dekoruarve, ndërsa për të pranishmit u mbajt edhe një koncert festiv, me emra të njohur të muzikës durrsake dhe më gjerë, si dhe grupi i kërcimit të studios së Arian Plakut..

Aktiviteti “Mikpritja durrsake”, u moderuar me profesionalizëm nga Teuta Dhima, ndërsa regjia ishte nga “Mjeshtri i Madh”, Haxhi Rama.

Aktiviteti u rikthye mbrëmjen e djeshme, pas 2 vitesh mungesë, për shkak të pandemisë.