Mbrëmjen e së premtes, shoqata “Durrësi Autokton” organizoi “Festë Deti 2021”, e cila startoi me xhiron tradicionale me anije në portin e Durrësit, xhiro që u shoqërua me tingujt e muzikës live të Alban Kamenicës.
Më pas, koncerti festiv me muzikë dhe humor u zhvendos tek salla Black Box e shkollës së mesme artistike “Jan Kukuzeli” me këngëtarët: Reshit Gjini, Hysni Alushi, Dashamir Mehmeti, Kosta Bonshi, Astrit Serjani, Luljeta Strefi, Dhimitër Stefa, Ylli Çiftja dhe humoristët Aishe Stari, Roland Koça dhe Edmond Halili.
Gjatë shfaqjes u shfaqë 3 dokumentarë për ekipin e futbollit dhe basketbollit “Teuta” dhe ish-futbollistit dhe arbitrit ndërkombëtar Ahmet Myshku, të realizuar nga Astrit Tahiri dhe projektuar nga Tristan Sherifi.
Shoqata “Durrësi Autokton” nderoi me titujt “Krenaria e Qytetit të Durrësit” ekipin e futbollit dhe basketbollit “Teuta” me motivacionin: Kampion në Kampionatin Kombëtar të futbollit edhe Basketbollit për sezonin 2020 – 2021 ndërsa Ahmet Myshku u dekorua ne titullin “Nderi i Qytetit të Durrësit” me motivacionin: Kontribute të shquara si futbollist edhe si arbitër ndërkombëtar në futboll.
Ekipi i futbollit Teuta i dhuroi shoqatës “Durrësi Autokton” një fanellë me gjithë firmat e lojtarëve të ekipit.