Shoqata “Durrësi Autokton” ka reaguar për situatën e krijuar gjatë protestës së banorëve të prekur nga projekti TID para Bashkisë së Durrësit, duke shprehur shqetësim për ndërhyrjet dhe ndalimet gjatë tubimit.

Ajo bën thirrje për respektimin e të drejtës për protestë dhe për më shumë transparencë nga institucionet për vendimmarrjet që prekin komunitetin.

Deklarata e plotë:

DEKLARATË

Shoqata “Durrësi Autokton” po ndjek me vëmendje dhe shqetësim situatën e krijuar së fundmi në qytetin e Durrësit, ku një grup banorësh të prekur nga projekti TID, gjatë ushtrimit të së drejtës së tyre për protestë paqësore, janë përballur me pengesa, ndërhyrje dhe ndalime, duke tensionuar më tej situatën.
Ne theksojmë se e drejta për protestë, shprehje dhe mbrojtje të interesit qytetar është një e drejtë themelore, e garantuar nga Kushtetuta dhe standardet demokratike.

Shoqata bën thirrje për transparencë të plotë nga institucionet përgjegjëse lidhur me vendimmarrjet që prekin drejtpërdrejt banorët dhe komunitetin, si e vetmja rrugë për zgjidhje të qëndrueshme dhe pa përshkallëzim konfliktesh.

Durrësi është një qytet me histori, kujtesë dhe trashëgimi. Çdo vendimmarrje që prek jetën e tij duhet të bëhet me qytetarët dhe jo mbi qytetarët.

Shoqata “Durrësi Autokton” do të vijojë ta ndjekë nga afër këtë situatë dhe mbetet e angazhuar në mbrojtje të interesit publik, trashëgimisë urbane dhe të drejtave të komunitetit durrsak. Kujtojmë se më 2 tetor 2025 i kemi dërguar institucioneve përgjegjëse një shkresë zyrtare për rishqyrtimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 477, datë 31.07.2025, si dhe të Vendimit të Këshillit Bashkiak të Durrësit nr. 110, datë 18.12.2024, që lidhen me prishjen e disa banesave në zonën rreth Amfiteatrit dhe në bulevardin “Epidamn”, për të cilat ende nuk kemi marrë një përgjigje zyrtare.