Pasditen e së hënës, gjatë ceremonisë së “Festa e pranverës 2023 Mikpritja durrsake” shoqata “Durrësi Autokton” ka vlerësuar me titullin “Ambasador të qytetit” tre muzikantë durrsakë të njohur ndërkombëtarisht, Pandush Gjezi, Gëzim Myshketa dhe Olen Çezari.
Ky i fundit, i njohur sot si violinisti shqiptar që ka interpretuar në tempujt më të mëdhenj të muzikës botërore, na tregon se, kthimi në skenën e teatrit të Durrësit, është kthim në “Olenin e vogël”, artistin e madh që prekte për herë të parë një skenë.
“Unë jam rritur në këtë vend, këtu kam bërë koncertin e parë recital kur kam qenë 7 vjeç. Ndërkohë për herë të parë para publikut durrsak kam interpretuar kur isha vetëm 5 vjeç, në sallën e odeonit, këtu sipër”,– rrëfen Çezari.
Fama e tij nuk është “rritur” e zhvilluar paralel me skenën ku nisi gjithçka, e cila sot duket e vogël për ta kthyer edhe një herë aty, në një shfaqje dedikuar qytetarëve të vendit që e rriti.
“Zanafilla e çdo gjëje timen fillon nga Durrësi dhe unë kudo nëpër botë ku shkoj, sido që të jetë çështja them: Unë jam çun Durrësi! Më në fund, këtu në Durrës, tek ky teatër ku emocionet janë shumë të mëdha”,– thotë Olen Çezari.
Pyetur nëse këtë vlerësim nga Durrësi e priste më herët, përgjigjja është ajo e një artisti.
“Nuk dua të vlerësoj nëse është e vonuar apo e shpejtuar. Nëse i ka ardhur në mendje dikujt për të bërë këtë nderim, shumë mirë që e ka bërë”.
Gëzim Myshketa nga ana tjetër nuk mundi të ishte i pranishëm në ceremoni, megjithatë dy fjalë i tha e ëma e tij, Shega Myshketa.
“Emocionet janë pa fund. e falenderoj shumë djalin që më ka bërë krenar. Gëzimi është jo vetëm një artist i madh, por edhe një çun shumë i mirë për ne si prindër”,- tha Shega Myshketa.
Gjatë mbrëmjes u projektuan për publikun në sallë 3 dokumentarë të realizuar nga Astrit Tahiri për tre personalitetet e muzikës nga qyteti i Durrësit, të cilët performojnë në skenat e ndryshme të botës.
K.Gj.