Pas video-mesazhit të publikuar këtë të mërkurë nga kryeministri Edi Rama, ku mbajti qëndrim lidhur me kërkesën e dy shoqatave për rritje të pagave të gjyqtarëve, ka reaguar publikisht Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, duke iu bashkuar së njëjtës kërkesë.
“Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë i bashkohet qëndrimeve publike dhe kërkimeve të argumentuara tashmë në mënyrë shteruese nga shoqatat e gjyqtarëve përpara Gjykatës Kushtetuese. Theksojmë se çdo ndryshim ligjor që passjell regres në standardet e njohura më parë dhe ulje të pagave të magjistratëve, përbën cenim të garancive kushtetuese.“, thuhet në njoftimin e publikuar për mediat.
Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë shprehet se e konsideroi të domosdoshme të mbante një qëndrim zyrtar në lidhje me debatin e ditëve të fundit, duke shtuar se “debatet publike për çështje që lidhen me sistemin e drejtësisë duhet të zhvillohen në mënyrë të përgjegjshme, të balancuar dhe me respekt për rolin kushtetues të magjistratëve. Çdo formë retorike që synon të kthejë opinionin publik kundër magjistratëve nuk i shërben forcimit të shtetit të së drejtës.“
Duke vënë theksin tek pavarësia e Gjykatës Kushtetuese dhe e sistemit të drejtësisë, shoqata e prokurorëve bën thirrje që “gjykimi kushtetues i inicuar nga shoqatat e gjyqtarëve duhet të përfundojë i pandikuar nga çdo presion i jashtëm apo instrumentalizim i opinionit publik”.
Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë e konsideron Gjykatën Kushtetuese si autoritetin e vetëm legjitim për të dhënë fjalën përfundimtare në këtë proces.





