Dhunimi i të drejtave të mbrojtura me Kushtetutë çon në protesta dhe përballje të shoqatës së qiramarrësve me ekzekutivin dhe institucionin e Presidentit.
Vendi duket se po trazohet fort kohët e fundit, duke zbehur lajmin e marrjes së statusit të kushtëzuar. Greva e urisë së ish të përndjekurve, rastet e frikshme të vetëdjegjes së disa prej tyre, të pasuara me zëra që ngrihen kundër situatës dhe realiteteve që keqësohen gjithnjë e më shumë kanë vijuar edhe me një protestë të re që paralajmëron për një përplasje të fortë nëse Kushtetuesja nuk vendos mbi kushtetueshmërinë e një akti normativ që cënon jetët e afro 5 mijë vetave.
Të vendosur për të mos liruar banesat e tyre, ata që banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve kanë nisur protestat duke paralajmëruar zhvillime të reja, ndërsa afati ligjor afron me shpejtësi. Përgjegjësi të hedhura jo vetëm mbi qeverinë me vendimin e fundit që mban datën 1 gusht, por edhe mbi tre Presidentët e Republikës Alfred Moisiu, Bamir Topi dhe së fundmi Bujar Nishani që miratuan përmes nënshkrimit të tyre flakjen në rrugë përmes një akti që Gjykata Kushtetuese e ka vlerësuar në të tjera raste se nuk është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, një ligj mbi ligjet.
Përplasja fizike, nëse autoritetet do të ndërhyjnë me forcë për t’i nxjerrë nga shtëpitë ku kanë një jetë të tërë që jetojnë, është lënë të kuptohet nga të gjithë, ndërsa mes protestuesve që u grumbulluan para Pallatit të Sportit “Ramazan Njala” kishte dhe nga ata që thonin se do të mbroheshin edhe me armë po të ishte nevoja. Kanë vendosur të mos tërhiqen, madje njëzëri kanë kërkuar që të mos lirojnë banesat pa marrë zgjidhje, larg kredive të deklaruara dhe përfitimit të banesave sociale, për të cilat ka një numër mjaft të madh familjesh të pastreha në pritje.
“Jo zaptues, po qytetarë të ndershëm. Edhe më të ndershëm se ju z.Kryeministër!” Kështu i është drejtuar nga Durrësi kryeministrit Sali Berisha, kreu i shoqatës së Qiramarrësve Myftar Kurti, ndërsa të tjerë protestues kanë qenë më të ashpër në deklarimet e tyre ndaj qeverisë dhe përdorimit politik të çështjes së tyre prej saj.
Është vlerësuar krejtësisht i padrejtë favorizimi i një shtrese, ish-pronarëve, në dëm të një shtrese tjetër pa dhënë zgjidhjet e plota për të. Organizatorët e protestës kanë shmangur thirrjet antiqeveritare që mund të përdoren politikisht duke shpresuar në vendimin e rradhës të Gjykatës Kushtetuese, e cila në vitet 2005 dhe 2007 ka vlerësuar si të papajtueshme me Kushtetutën dhe ka shfuqizuar nenet përkatëse të ligjeve “Për kthim kompensimin e pronave” dhe “Për disa shtesa dhe ndryshime në këtë ligj”.
Në dy vendimet e saj të mëparshme Gjykata Kushtetuese ka arsyetuar shkeljen e parimeve të rëndësishme kushtetuese, që lidhen drejtpërdrejt me të drejta të njohura dhe të garantuara në Kushtetutë. Në këto vendime konstatohet shkelja e parimit të sigurisë juridike, si pjesë e rëndësishme e shtetit të së drejtës dhe një trajtim diskriminues ndaj shtresës së qiramarrësve, të cilëve iu cënohet e drejta për të jetuar dhe për të pasur një strehë.
Në protestën e Durrësit morën pjesë dhe shumë përfaqësues të familjeve qiramarrëse nga Tirana, ndërkohë që iu bë ftesë dhe ish-pronarëve për t’u bashkuar me ta kundër qeverisë që ligjëron spiunimin. “Kemi një armik të përbashkët, Qeverinë.”- tha Kurti. Gjatë protestës në emër të reagimit të bashkuar ndaj një akti që cënon rëndë të drejtat themelore të individit është bërë thirrje që askush të mos paraqitet pranë BKT-së për të tërhequr kreditë, pasi do të shkaktonte përçarje dhe mbi të gjitha do të legjitimonte aktin antikushtetues.
Ekzekutivi në rolin e Legjislativit
Në dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese, kompetenca për rregullimin e marrëdhënies midis pronarëve të ligjshëm dhe qytetarëve të pastrehë që jetojnë në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara i është lënë Kuvendit të Shqipërisë, që duhej të bënte plotësimet e nevojshme në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronave” dhe institucioni i Avokatit të Popullit ka konstatuar se urdhërimet e vendimit të datës 4 prill 2007 nuk janë zbatuar nga ana e Kuvendit, pasi ende nuk ka një plotësim të boshllëkut ligjor të krijuar me shfuqizimin e nenit 9 të ligjit nr.9583 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për kthimin e kompensimin e pronës”.
Ndërkohë konstatohet se Këshilli i Ministrave me nxjerrjen e aktit normativ ka marrë padrejtësisht një kompetencë të Kuvendit. Përpos këtij anashkalimi flagrant, akti normativ në përmbajtjen e tij ka mjaft elemente problematikë, duke nisur nga afatet e shkurtra dhe heqjes në mënyrë të kundraligjshme të një kompetence organit të gjykatës së shkallës së parë. Mosrespektimi i ndarjes së pushteteve në këtë rast shfaqet qartazi dhe përbën një precedent të rrezikshëm.
Çështja në Gjykatën Kushtetuese
Janë afro 900 familje durrsake që jetojnë në shtëpitë e ish-pronarëve dhe që tashmë kanë nisur të përgatiten për t’u përballur në Gjykatën Kushtetuesve dhe më tej edhe në Strasburg, hap ky që do të ndërmerret nëse do të ndjehen të nëpërkëmbur dhe Ekzekutivi do të diktojë dhe vendimmarrjen e Kushtetueses. Përveç vendimeve për qëndrime të unifikuara, familjet që përballen me kërcënimin e hedhjes në rrugë kanë nisur të mendojnë dhe për mbështetjen financiare të mbrojtjes së tyre. Kanë nisur të mbledhin para për të siguruar mbrojtjen juridike në Gjykatën Kushtetuese përmes avokates së tyre Luljeta Petani. Çdo familje po kontribuon në vlerën 500 lekë për këtë përfaqësim. Të qetë dhe të bindur për nevojën e këtij përfaqësimi, në përfundim të protestës, pjesëmarrësit kanë nisur dorëzimin e kuotës së caktuar, ndërkohë që protesta vëzhgohej në distancë nga efektivët e policisë.
Avokati i Popullit drejtuar Kuvendit:
Gjykojmë se Akti Normativ i Këshillit të Ministrave nr.3 i datës 1 gusht 2012 është në papajtueshmëri me Kushtetutën dhe si i tillë çmojmë se duhet të jetë në përputhje me urdhërimet e jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese. Miratimi dhe zbatimi i tij (aktit) do të sillte pasoja serioze dhe të parikuperueshme.
Kryeministri Sali Berisha:
Ky akt normativ imponon lirimin në afatin e caktuar me të gjitha mjetet e ligjit të banesës, sikundër të jepen kredi me interes zero për të blerë hyrjet ku do të strehoheni. Do të ishte shumë i preferuar që ky të ishte një akt ku të mos ndërhyjë forca e ligjit, po forca e moralit.





