Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri, (DIHA-Deutsche Industrie und Handelsvereinigung in Albanien) publikoi të enjten, (25.05) rezultatet e anketimit vjetor për klimën e biznesit dhe të investimeve në Shqipëri.

Drejtori Ekzekutiv i DIHA, Bledar Mankollari, që prezantoi rezultatet në një konferencë për shtyp, tha se “pritshmëritë për situatën ekonomike në Shqipëri sinjalizojnë një pëmirësim të ngadaltë ndërkohe që mungesa e fuqisë punëtore mbetet shqetësim për biznesin.” Pjesa më e madhe e 44 bizneseve, anëtare të DIHA-s në Shqipëri, që morën pjesë në anketimin e sivjetëm e shohin mungesën e fuqisë punëtore si “rrezikun më të madh për biznesin”

Anketim i sivjetshëm zbuloi edhe që ” disponueshmëria e fuqisë punëtore të kualifikuar ka shënuar një rënie të dukshme gjate viteve të fundit në krahasim me vitet e kaluara kur ky faktor renditej si më pozitivi në Shqipëri”. ”Kjo shpjegohet menivelin e lartë të emigracionit gjatë viteve të fundit, që duket se ende nuk po bie”, konstaton DIHA në anketimn e sivjetëm.

Por nga anketimi rezulton se 70 përqind e tyre iu përgjigjën pozitivisht pyetjes nëse do të zgjidhnin Shqipërinë përsëri për të investuar. Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf, në fjalën e tij në prezantimin e gjetjeve të anketimit nga DIHA, vuri në dukje që “sipërmarrjet gjermanë vazhdojnë të tregojnë një interes të madh për rajonin. Sa më e mirë të jetë klima e investimeve, aq më shumë do të zgjedhin Shqipërinë. Për këtë nevojitet veꞔanërisht siguri ligjore, konkurrencë e ndershme dhe rregulla transparente”, theksoi ai.

Siguria ligjore rreshtohet tek faktorët negativë që ndikojnë në zgjedhjen e Shqipërisë si destinacion investimesh, Drejtori Ekzekutiv i DIHA, Bledar Mankollari tha për DW, se “siguria ligjore nënkupton që qytetarët/bizneset të ndihen të sigurtë që të drejtat e tyre sipas ligjeve në fuqi do të mbrohen nga shteti”.

“Nuk është ndonjë surprizë, nëse them që shpesh ky nuk është rasti në Shqipëri. Thuhet shpesh dhe fatkeqësisht vijon prej vitesh të jetë e vërtetë që në Shqipëri nuk mungon baza ligjore madje një pjesë e madhe e ligjeve janë shumë të mira. Problem është zbatimi. Për sa kohë ka dallime mes bizneseve, ku disa trajtohen si më të privilegjuar, siguria ligjore do të vijojë të jetë një ndër faktorët që i bën bizneset të stepen, kur mendojnë të investojnë në Shqipëri”, thekson Mankollari për DW.

Konkurrenca jo e ndershme – faktor tjetër negativ

“Ajo e dëmton shumë biznesin dhe demotivon investitorët potencialë. Bizneset kur konsiderojnë një vend për të investuar, bëjnë një analizë të anëve pozitive dhe negative, të mundësive dhe rreziqeve që ai vend paraqet. Konkurrenca jo e ndershme dhe rregullat jo transparente konsiderohen si risqe serioze të të bërit biznes, sepse janë kosto që nuk mund të parashikohen asnjëherë saktë, por që nëse ndodhin, mund të sjellin probleme shumë serioze. Nga ana tjetër, jam i sigurtë që çdo hap pozitiv për të përmirësuar këta 2 faktorë, do të mund të sjellë rritje të konsiderueshme të interesit të investitorëve të huaj për Shqipërinë”, tha për DW , Bledar Mankollari.

Faktorë më negativë, sipas anketimit të sivjetëm, vijojnë të jenë mungesa e transparencës së tenderave publikë, lufta kundër kriminalitetit dhe korrupsionit dhe siguria ligjore.

Sipas rezultateve të anketimit të DIHA-s të tillë faktorë janë „ produktiviteti dhe motivimi i punonjësve, kualifikimi i tyre dhe kostoja e punës”. Lidhur me situatën aktuale ekonomike në Shqipëri ajo vlerësohet „mirë” nga 18 përqind e të anketuarve, negativisht nga 45 përqind e tyre dhe nga 36 përqind e kompanive vlerësohet „ e kënaqshme”.

Pritshmëritë për situatën ekonomike në Shqipëri nuk kanë ndryshuar nga ato të vitit të kaluar: 45 përqind e kompanive e vlerësojnë „të panmdryshuar”, 25 përqind kanë pritshmëri se do të jetë më mirë dhe dhe 30 përqind e vlerësojnë negativisht. DIHA dhe 16 Dhoma gjermane të Tregtisë me Jashtë në rajonin e Europës Qendrore dhe Jug-Lindore realizuan me kompanitë anëtare, anketimin vjetor mbi klimën e biznesit dhe investimeve në Shqipëri./ DW