Shefqet Kërcelli
19 nëntor 2015 – Paraditen e datës 18 nëntor, shoqata e detarëve “Adrijon” zhvilloi një takim pune në sallën e mbledhjeve të Autoritetit Portual Durrës. Në takim morrën pjesë drejtues dhe anëtarë të së vetmes shoqatë të detarëve shqiptarë.
Fillimisht pjesmarrësit mbajtën një minut heshtje në nderim të Kapiten Fore Koretës, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë. Më pas kryetari i shoqatës Aleksandër Gjermeni bëri një rezyme të punës e përpjekjve të shoqatës për ta ristrukturuar, legalizuar dhe funksionalizuar veprimtarinë e saj. Duke evidentuar nivelin e pjesmarrjes, Zoti Aleksandër theksoi se periudha maj-tetor 2015, është karakterizuar nga përpjekje të vazhdueshme të kryesisë të shoqatës për realizimin e detyrave të mbledhjes së datës 30 prill 2015.
Së pari, u arrit që të sugurohet një ambient i përshtatshëm për zhvillimin e aktiviteteve të shoqatës në hyrje të portit të Durrësit. Ambienti i dhënë nga Autoriteti Portual i Durrësit është pajisur në mënyrë modeste me ndihmën e zotërinjve Artur Bujari dhe Ilia Marga. Ndërkohë drejtuesit e Autoritetit Portual kanë premtuar që në të ardhmen ti japin shoqatës një ambient shtesë ngjitur me zyrën, për ta përdorur si muze të detarisë.
Drejtim i dytë kryesor i punës së kryesisë së shoqatës ishte legalizimi i shoqatës konform ligjeve të shtetit shqiptar. Kështu mbasi u gjet dokumentacioni i para 15 viteve, kur kjo shoqatë është regjistruar në gjykatën e Durrësit, një procedurë e papërfunduar, me këmbënguljen e kryesisë së re u bë e mundur që më datën 29.07.2015, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me Vendimin e saj Nr.668/1, u shpreh se pranon kërkesën e detarëve për depozitimin e akteve të reja të shoqatës Detare “Adrijon”.
Me këtë vendim Shoqata “Adrijon” nuk ka asnjë pengesë që të paraqitet para cdo organi shtetëror apo privat, për të kërkuar dhe mbrojtur të drejta e anëtarëve të saj, që i takojnë me ligj. Ky akt është ngjarje e rëndësishme për mbarëvajtjen e veprimtarisë së shoqatës.
Në vijim të këtyre përpjekjeve theksoi zoti Gjermeni, jemi drejt finalizimit të regjistrimit në organin tatimor dhe hapjen e një llogarie bankare të shoqatës, mbas plotësimit të dokumentacionit përkatës, përfshi dhe një akt-marrëveshje me APD Durrës.
Gjithashtu në raport u evidentuan dhe disa aktivitete të zhvilluara në këto 6 muaj, sic ishte ai i 6 qershorit të këtij viti, me emrin “dita e detarëve”. Kjo datë njihet si dita e detarëve dhe festohet ndërkombëtarisht në shumicën e vendeve evropiane që lagen me det ose oqean, në nderim të disa peshkatarëve të Islandës, të cilët sakrifikuan jetën e tyre duke i shkuar në ndihmë një anije që rrezikohej të mbytej nga moti i keq. Në zhvillimin e këtij aktiviteti ndihmoi financiarisht zoti Nikolla Laci dhe me një sasi karburanti firma “Kastrati”, ndërsa zoti Ilir Karagjozi vuri në dispozicion një mjet detar për lundrim.
Si aktivitet i pare, në organizimin dhe mbarëvajtjen e tij u evidentuan dhe disa mangësi, theksoi Zoti Gjermeni, të cilat do përpiqemi ti korigjojmë në të ardhmen. Jam i hapur ndaj çdo vërejtje, mendimi ose propozimi që ndihmon në ecurinë e shoqatës sonë tha në fund të raportit zoti Gjermeni.
Në vijim të takimit kapiten Pirro Traja, sekretar i shoqatës “Adrijon” vlerësoi punën e drejtuesve të mëparshëm të shoqatës dhe hapat konkretë që ka ndërrmarë kryesia e re për të formatuar veprimtarinë e shoqatës përfshi problemet ligjore, në pak muaj, shoqata “Adrijon’ është formalizuar plotësisht, është e rregjistruar konform ligjeve në fuqi dhe funksionon si shoqatë jo fitimprurëse mbi baza vullnetare, me të drejtat dhe detyrimet përktëse, theksoi zoti Traja.
Natyrisht ky fillim i mbarë është gurthemeli për të përmirësuar dhe gjallëruar aktivitetin e shoqatës në të ardhmen. Në vijim zoti Traja prezantoi disa nga objetivat kryesorë të kryesisë për periudhën nëntor 2015-mars 2016, ku përfshihej binjakëzimi me një shoqatë detare të një vendi të huaj, për të shkëmbyer eksperiencën e bazën ligjore, aderimin në organizatat ndërkombëtare, zgjerimin e aktivitetit në të ardhmen, etj.
Gjithashtu u diskutua shtimi i radhëve të shoqatës me detarë të rinj që shërbejnë në anije të ndryshme. Vetë roli i shoqatës është transmetimi i traditës e vlerave më të mira të detarëve shqiptarë tek brezat e rinj, pasi në radhët e saj ka detarë profesionistë, të përkushtuar dhe me vlera të gjithanshme, citoi kapiten Traja.
Objektiv tjetër kryesor për këtë periudhë është shtimi i numurit të anëtarësisë së detarëve në regjistrin themeltar. Sigurisht realizimi i këtyre objektivave kërkon bashkëpunimin dhe gatishmërinë e gjithsecilit anëtar, me aq sa mundet, përkrahjen dhe respektin reciprok, mirëbesimin dhe pozitivitetin, promovim vlerash, jo gjëra të vogla e të parëndësishme, thashetheme, ashtu si kemi punuar dikur në anije, u nënvizua në takim.
Gjatë takimit, pjesmarrës të ndryshëm si A. Semini, M. Ypi, N. Hoxha, A. Koço, F. Pyka, D. Janina, etj, vlerësuan punën e deritanishme të kryesisë së shoqatës dhe trajtuan mjaft probleme social-ekonomike të detarëve shqiptarë, një shtresë e diskriminuar në trajtimin financiar, në pensione dhe në zbatimin e legjislacionit ndërkombëtar për të drejtat e detarëve.
Pra, një situatë e pazakontë që kërkon ndihmën dhe përkujdesjen e shtetit shqiptar. Kanë shumë halle e probleme marinarët shqiptarë, ndërsa legjislacioni i mbron, praktikisht marinarët shqiptarë janë zbuluar para arbitraritetit të pronarëve të ndryshëm. Gjithashtu disktutantët theksuan jo vetëm shtimin e anëtarëve, bashkimin e tyre rreth shoqatës, por dhe angazhimin konkret. Është një punë vullnetarë që kërkon përkushtimin e të gjithëve, kjo do lehtësojë zgjidhjen e problemeve në të ardhmen.
Një objektiv kryesor i kryesisë së shoqatës “Adrijon” është përgatitja dhe miratimi i statusit të detarit, mbështetur dhe në përvojën e shteteve të tjera. Miratimi i tij do institucionalizojë përfundimisht të drejtat e nëpërkëmbura të detarëve shqiptarë.
Gjithashtu u shtrua si detyrë zgjerimi dhe shtrirja e shoqatës në Shëngjin, Vlorë dhe Sarandë, që të aderojnë dhe detarët e këtyre qyteteve, pasi shoqata “Adrijon” është kombëtare. Pjesë e disktutimit ishte dhe pagimi i kuotava nga anëtarët e shoqatës, e cila është caktuar 200 lekë në muaj. Për ndjekjen e problemeve dhe detyrave të caktuara, pritjen e kontaktin me detarët, një anëtar i kryesisë do qëndrojë çdo ditë në zyrë nga ora 10.00 deri 12.00 paradite.
Gjykuar nga diskutimi i problemeve dhe aktivitetet e kryera si 6 mujor, theksojmë se shoqata e detarëve “Adrijon” është në rrugë të mbarë, ndaj le ti urojmë suksese në aktivitetet dhe funsionimin e saj në të ardhmen, në të mirëtë detarëve shqiptarë dhe mbrojtjes se të drejtave të tyre.
/portali DurresLajm/