DURRËS, 14 nëntor 2014 –  Dita e çlirimit të Durrësit është përshëndetur dhe nga Shoqata “Për Mbrojtjen e Vlerave të Durrësit”, e cila nën përfaqësimin e  z. Bashkim Kadiu, znj. Teuta Kalakula, z. Fatos Tartari, znj. Ada Spiru dhe z. Agron Fama, me rastin e 70-vjetorit të çlirimit, nisi sot veprimtarinë e saj, duke nderuar disa familje të atyre të rinjve durrsakë, të cilët kontribuan e sakrifikuan jetët e tyre në emër të idealeve patriotike me synim ëndrrën e një vendi të lirë. 

Gjatë ditës së sotme kjo përfaqësi kreu disa vizita-homazhe, pranë familjeve të atyre djemve durrsakë që rrëmbyen armët pa ngurrim dhe luftuan kurndër okupatorit. 

Shoqata shprehu mirënjohje të thellë për kontributin dhe jetët e sakrifikuara të qindra të rinjve durrsakë, të cilët me shpirtin e mbushur nga ndjenjat patriotike e zemrat plot atdhedashuri, luftuan për t’i dhënë Durrësit këtë ditë lirie me një rëndësi të veçantë historike, ditën e 14 Nëntor-it. Familjet e dëshmorit Met Hasa, dhe të grupit të të rinjve durrsakë, pjesë e të cilit qenë edhe Petraq Laku, Tom Gjiri, vëllezërit Skënder e  Hysen Çela, të ndjera krenare për veprën e familjarëve të tyre, u shprehën të vlerësuara nga Shoqata që mbron dhe nderon vlerat e qytetit tonë. 

Aktiviteti i sotëm nisi me nderimin e familjes së dëshmorit më të ri që njohu lufta nacional-çlirimtare, atë të dëshmorit Met Hasa, në atë kohë vetëm 14-vjeç. Një fëmijë, pushka të cilën ai mbante në krah ishte më e gjatë se ai vetë, brenda vetes fshihte një burrë të madh. Përpara veprës  historike të këtij fëmije-burrë madhështor që quhej Met Hasa, përulet një qytet i tërë.

Familjarët e intelektualit me shpirt fisnik e qytetar, Petraq Lakut, e përkujtojnë atë si një të ri të mbushur me ndjenja patriotizmi të trashëguara edhe nga babai i tij, nolisti Fan Laku, ndjenja të cilat e orientuan të bëhej pjesë e lëvizjes antifashiste të të rinjve durrsakë. Duke u ndenjur gjithnjë besnik idealeve të tij, falë dijeve, ndershmërisë e dashurisë për durrsakët arriti të lërë mbresa të fuqishme, në kujtesën e popullit të Durrësit.

I riu Tom Gjiri, shok ideali me Nako Spiron e Aleksandër Gogën (emrin e të cilit në nderim ia ka kaluar të birit, Aleksandër Gjirit), një futbollist i suksesshëm në Itali e Francë, ndërpret karrierën dhe kthehet në atdhe për t’iu bashkuar forcave të luftës nacional-çlirimtare.

Vëllezërit Skënder dhe Hysen Çela, pjesë e grupit të rinisë intelektuale durrsake, u nderuan sot për pjesëmarrjen dhe kontributet e tyre në luftën nacional-çlirimtare dhe për qëndrimin e tyre dinjitoz të pasluftës. Skënderi, një durrsak i pushkatuar me grupin e të rinjve, ende sot pa varr. Hyseni, pas një jetë të egër por gjithnjë në shërbim të shoqërisë me dijet e tij, nderohet mbas viteve ’90 me titullin e lartë “Mësues i popullit”.

/g.b. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/