Shoqata “Udhëtim i Lirë – Liberi di Viaggiare” ka finalizuar me sukses dy projekte të rëndësishme, fokus i të cilave ishin fëmijët me aftësi të veçanta dhe problemet klimaterike.
“Nature-Based Solutions For The Conservation Of Pollinators In Green House &Urban Ecosystems” dhe “With You 4 you” janë 2 projektet e financuara nga Ambasada Bullgare përmes “Bulgarian Development Aid”, në takimin përmbyllës të të cilëve ishin Z. Asen Pachev, Chargé D’affaires a.i., Znj. Maria Peeva, III Secretary, Drejtoresha Ekzekutive Znj. Miranda Mansaku, stafi dhe fëmijë nga qendra “Njyrat e Jetës”, Kavajë.
Fëmijët e qendrës së Durrësit kishin përgatitur flamuj të Republikës Bullgare, që ia dorëzuan përfaqësuesve të Ambasadës, ndërsa fëmijët e qendrës së Tiranës përshëndetën me disa numra artistikë.
Gjatë aktivitetit u fol për rezultatet e arritura nga eksperimenti me bletët pllenuese, i kryer në 5 sera në bashkinë e Durrësit, u prezantuan rezultatet e studimit të Prof. Dr. Shpend Shahinit lidhur me përdorimin e këtyre bletëve për polenizimin natyral, si dhe u lançuan videot e përgatitura nga të rinjtë e trajnuar në lidhje me efektet pozitive të përdorimit të bletëve.
Gjithashtu, në kuadër të projektit “With You 4 you”, u bë një përmbledhje e aktiviteteve të kryera në sajë të shkëmbimit të eksperiencave, ndërmjet qendrave që ofrojnë shërbim për fëmijët me aftësi të veçanta, respektivisht atyre të Tiranës, Durrësit dhe Kavajës.
Falë këtij projekti, në qendrën e Kavajës u vendosën të gjitha pajisjet për ofrimin e shërbimit të fizioterapisë, jo vetëm për fëmijët që frekuentojnë qendrën, por për këdo që ka nevojë për këtë shërbim.