TIRANE- PDIU kërkon mbështetjen e kancelarive ndërkombëtare për rezolutën çame, ndërkohë që shoqatat shqiptaro-amerikane e përkrahin atë, duke kërkuar shqyrtimin në kongresin amerikan. Konkretisht, shoqata shqiptaroamerikane dhe Federata Panshqiptare “Vatra” e Degës së Detroitit, përkrahin rezolutën për njohjen e të gjitha të drejtave për shqiptarët çamë etnikë në Greqi dhe këto dy subjekte kombëtare kërkojnë që rezoluta të dërgohet në kongresin amerikan në Washington.
Këto shoqata besojnë se shteti amerikan është çelësi i zgjidhjes së drejtë dhe me tërë mekanizmat demokratikë, politikë dhe diplomatikë për çështjen e hapjes së derës për çamët në Çamërinë e tyre. Shoqata shqiptaro-amerikane bën të qartë se rezoluta e përgatitur nga deputetët e qarkut të Vlorës, Shpëtim Idrizi, kryetar i PDIU-së dhe Dashamir Tahiri, e paraqitur për miratim në Kuvendin e Shqipërisë (Rezoluta për Çamërinë), paraqet një nga ngjarjet më sublime dhe me frymë kombëtare kushtuar krahinës shqiptare, si pjesa më e dhimbshme e kombit dhe e Shqipërisë, që këto dy subjekte kombëtare në Amerikë e përkrahin pa rezervë dhe kërkojnë të vihet nënshkrimi i tyre.
Tërë fryma e kësaj rezolute, e para e këtij lloji që nga vitet e aneksimit të Çamërisë nga Greqia (1913), me të drejtë kërkon nga Kuvendi i Shqipërisë restaurimin dhe njohjen e plotë të të gjitha të drejtave të shqiptarëve etnikë çamë në Greqi, të atyre mijëra shqiptarëve të krahinës shqiptare të Çamërisë që u vranë,u masakruan dhe u dëbuan me dhunë nga toka e tyre, të paraqitura në të gjitha pikat e këtij testamenti. Rezoluta për Çamërinë – thuhet në përkrahjen shqiptaro- amerikane, – shpalos para opinionit orët e dhimbshme historike të popullit shqiptar çam dhe sensibilizimin e problemit të fshehur nën regjimin e çelësit të kishës ortodokse dhe të pushtetit helen në Athinë. Sipas kësaj shoqate, koha e së drejtës po troket në dyert dhe ndërgjegjen shqiptare të parlamentarëve dhe në të gjitha nivelet e institucioneve të shtetit shqiptar, të trojeve etnike, në diasporë, në botë dhe SHBA, – thonë në përkrahje shqiptaroamerikanët në Çikago dhe Detroit.
“Po e themi pa hamendje se gjenocidi grek përmes formacioneve ushtarake të gjeneralit famëkeq Napoleon Zerva ndaj popullit shqiptar çam paraqet holokaustin e dytë pas atij hebre, të orkestruar nga dora fashiste hitleriane, që ende nuk ka marrë dënimin e merituar në Ballkan dhe, siç trumbetohet në qarqet helene, kjo nuk është çështje historike”, – thonë zëshëm për opinionin subjektet kombëtare në SHBA. “Preveza – vazhdon me të drejtë PDIU – është çështje e hapur dhe shumë e re, për 68 vjet më parë, ndërsa çamët nuk kërkojnë të shkojnë në Athinë, por kërkojnë Prevezën, atje ku i kanë patur baballarët çamë të trojeve shqiptare”, – citohet shoqata shqiptaro-amerikane.