Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës sh.a ka përkujtuar sot Ditën Botërore të Ujit, e cila është vendosur të festohet në 22 Mars nga Organizata e Kombeve të Bashkuara që në vitin 1993. Për këtë arsye, SHRUKD në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizime dhe Agjencinë Franceze për Zhvillim, ngriti 6 pika informuese për qytetarët duke shpërndarë fletëpalosje dhe broshura rreth aktivitetit të Shoqërisë si dhe rëndësisë që ka Dita Botërore e Ujit.

Prej tre vitesh, Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës ka në menaxhim edhe ujësjellësat e Rrogozhinës, Kavajës dhe Krujës. Prej një viti, SHRUKD ka arritur të likujdojë detyrimet e ujësjellësave të mësipërm, ndërkohë që për vitin 2024 e gjithë shoqëria ka rritur arkëtimet me afro 5 miliard lekë më shumë se viti 2023. Gjithashtu, janë hapur edhe 8108 kontrata të reja, ndërsa ka likujduar edhe 63% të detyrimeve të mbartura ndër vite, me synimin që brenda vitit 2025 detyrimet e mbartura të likujdohen në masën 80 përqind.

Vetëm në vitin e fundit SHRUKD ka pësuar ndryshime rrënjësore, qoftë në performancën e punës, qoftë edhe në rritjen e treguesve ekonomiko-financiarë. Shoqëria në fjalë u vlerësua në fund të vitit 2024 si Shoqëria me performancën më të mirë në vendin tonë. Nën drejtimin e Administratorit të ri të Shoqërisë Rajonale, Ing. Sedi Çaushi dhe stafit drejtues, në Shoqëri ndihet një frymë e re drejtimi dhe menaxhimi, e cila është konkretizuar me rezultate të prekshme.

Pavarësisht problematikave të mbartura, SHRUKD ka dalë nga situata e vështirë dhe tashmë njeh vetëm rritje të të ardhurave, ndërhyrje dhe ndërgjegjësim të debitorëve për likujdimin e faturave të prapambetura, eleminim të lidhjeve të paligjshme etj.

Në sajë të financimit të Agjencisë Franceze për Zhvillim, qyteti i Durrësit pritet të përfitojë një projekt mjaft të rëndësishëm për rindërtimin e rrjetit të brendshëm të ujit, duke bërë që pas zbatimit të këtij projekti të përfitojnë afro 578 mijë banorët e Durrësit furnizim pa ndërprerje me ujë të pijshëm.