Shoqata e Punonjësve të policisë në lirim – 2013 ka denoncuar atë që ajo e konsideron “Polici e Shtetit e dalë tërësisht jashtë misionit dhe funksionit të saj, të përcaktuar në ligj dhe është shndërruar në një organ dhune nën kontrollin e plotë të Edi Ramës, ndërkohë që Ministri i Brendshëm është vetëm një marionetë në duart e tij”.

Shoqata denocon gjithashtu faktin se “banditë me uniformë” kanë shoqëruar në polici ish-oficerin e lartë të policisë Aleks Hajdari, që i ishte bashkuar artistëve në kauzën e mbrojtjes së godinës së Teatrit Kombëtar.

“Shoqata dënon me forcë këtë akt të shëmtuar, si edhe dhunën barbare të ushtruar gjatë gjithë ditës së djeshme, por edhe në shumë raste të tjera madje edhe ndaj fëmijëve të mitur, nga punonjës policie pa shenjat identifikuese dhe në tejkalim të plotë të çdo tagri ligjor që ka policia e Shtetit. Ne si shoqatë paralajmërojmë drejtuesit e Policisë së Ramës që të mos guxojnë të dalin mbi ligjin pasi do të përballen shumë më shpejt se besojnë me forcën e ligjit.” – thuhet ndër të tjera në postimin në rrjete sociale të Shoqatës së Punonjësve të policisë në lirim – 2013

Postimi i plotë:

Regjimi autokratik i Ramës, i bazuar te dhuna dhe presioni nëpërmjet forcave të Policisë së Shtetit, ka kaluar çdo limit. Shoqata e Punonjësve të Policisë në Lirim – 2013 dënon me forcë faktin se Policia e Shteti ka dalë tërësisht jashtë misionit dhe funksionit të saj, të përcaktuar në ligj dhe është shndërruar në një organ dhune nën kontrollin e plotë të Edi Ramës, ndërkohë që Ministri i Brendshëm është vetëm një marionetë në duart e tij.

Këta banditë me uniform, pasi vetëm punonjës të Policisë së Shtetit nuk mund të quhen, kanë shoqëruar edhe ish-oficerin e lartë të Policisë së Shtetit, Z. Aleks Hajdari, i njohur për integritetin e tij të lartë profesional e njerëzor, njëkohësisht drejtues i kësaj shoqate, i cili si një qytetar i lirë u ishte bashkuar artistëve në kauzën e madhe të mbrojtjes së godinës së Teatrit Kombëtar, në ruajtje të të drejtave dhe lirive themelore njerëzore.

Shoqata dënon me forcë këtë akt të shëmtuar, si edhe dhunën barbare të ushtruar gjatë gjithë ditës së djeshme, por edhe në shumë raste të tjera madje edhe ndaj fëmijëve të mitur, nga punonjës policie pa shenjat identifikuese dhe në tejkalim të plotë të çdo tagri ligjor që ka policia e Shtetit. Ne si shoqatë paralajmërojmë drejtuesit e Policisë së Ramës që të mos guxojnë të dalin mbi ligjin pasi do të përballen shumë më shpejt se besojnë me forcën e ligjit. Ne u bëjmë apel të gjithë punonjësve të ndershëm e korrektë të Policisë së Shteti që të ruajnë integritetin dhe ti përmbahen strikt kuadrit ligjor, pasi rrezikojnë jo vetëm karrierën e tyre, por edhe faktin se do të ndiqen penalisht për shkeljen e ligjit dhe shpërdorimin e detyrës dhe shkeljen e betimit.

Ne paralajmërojmë Kryeministrin Rama që të heqë dorë nga keqpërdorimi i Organizatës së Policisë së Shteti pasi ajo u përket qytetarëve shqiptarë dhe nuk do ta lejojmë me të gjitha format që të shndërrojë në një organ dhune e ruajtje të pushtetit si dikur në diktaturën komuniste!