TIRANE – Një grua 33- vjeçare, nënë e dy vajzave të mitura, u arratis nga Komisariati Nr.6 i Policisë së Tiranës, ku ishte shoqëruar për vjedhje në një supermarket. Pasi i janë marrë gjeneralitetet për plotësimin e formularit të shoqërimit, e dyshuara për vjedhje ka arritur të kapërcejë murin rrethues në pjesën e pasme të rajonit të Policisë dhe është larguar.
Ngjarja ka ndodhur të hënën, ndërsa e dyshuara është shoqëruar dje, duke u lënë për hetim në gjendje të lirë. Burime nga Policia thanë se 33-vjeçarja kishte dhënë gjeneralitete të rreme në momentin e shoqërimit, pak minuta para se të arratisej. Një patrullë i është vënë pas për ta ndaluar, ndërsa shërbime të tjera kanë nisur hetimet për ta identifikuar.
Gruaja që më pas rezultoi të ishte Festime Shkreta, ishte denoncuar nga pronari i një supermarketi në Rrugën e Qelqit, në zonën e Kombinatit, i cili e kishte kapur duke vjedhur dhe menjëherë kishte lajmëruar Policinë. Pas arratisjes së saj nga dhomat e shoqërimit të Komisariatit Nr.6, oficerët e hetimit të këtij rajoni janë rikthyer sërish në supermarketin ku ajo kishte vjedhur, duke ripyetur pronarin që bëri denoncimin.
Nëpërmjet pamjeve filmike të kamerave të sigurisë dhe ballafaqimit me disa dëshmitarë që ndodheshin në supermarket, është bërë e mundur që të identifikohet autorja dhe janë gjetur gjeneralitetet e sakta të saj. Disa nga dëshmitarët e kanë njohur, pasi ajo banonte në zonën e Yzberishtit, jo shumë larg vendit ku ndodhej supermarketi.
Policia arriti ta ndalonte dy ditë më parë dhe e dyshuara u shoqërua sërish në Komisariatin nga ku ishte arratisur. Për shkak se ajo është nënë e dy fëmijëve të mitur, prokurori i gatshëm ka vendosur që ajo të mos arrestohet për të procedohet në gjendje të lirë.





