DURRES – Fatmira Dede Habibi, 60 vjeçe, nëna e Ervis Dedes, të vrarë në atentat 15 muaj më parë, është gjetur e masakruar në garazhin e pallatit, në lagjen numër 4 të Durrësit, ku jetonte e vetme. 60-vjeçarja është gjetur rreth orës 14:30, pranë automjetit të saj, e mbytur në gjak, nga një banor i pallatit i cili lajmëroi Urgjencën e spitalit dhe policinë.
15 shtator 2013 – Vrasja e kryer në “pabesi” ndaj së moshuarës, ka mbledhur hetuesit më të mirë të Durrësit dhe inspektorët e krimeve të rënda, të cilët kanë hapur sërish dosjen e djalit të saj, 33-vjeçarit Ervis Dede, vrasje që ka mbetur ende e pazbardhur. Duke parë rrethanat e skenës së krimit, sipas hetuesve, vrasja ka ndodhur me paramendim të plotë. Autori e ka pritur ose ndjekur viktimën, derisa t’i drejtohej garazhit ku do të parkonte mjetin. Viktima i ka parë dhe pasi ka hyrë në garazh, ka shtypur pultin që qepeni të mbyllej me shpejtësi. Por autori e ka nxjerrë me dhunë nga makina, ndërsa boria e makinës ka mbetur e shtypur dhe garazhi ka qëndruar i hapur 30 centimetra. Duket se këtu ka nisur përleshja. Qepeni i garazhit e ka dëmtuar në një pjesë të trupit 60-vjeçaren, e cila më pas është qëlluar me një mjet të fortë thikë në fyt, dhe më pas me thikë është qëlluar edhe në kokë.
30 persona janë shoqëruar në polici për të zbardhur ngjarjen, kryesisht të afërm e dëshmitarë. Policia po punon në dy pista për motivin e vrasjes së 60-vjeçares; atë të hakmarrjes, si dhe për shkak të konflikteve të pazgjidhura pas vrasjes së djalit, në drejtim të bizneseve të tij. Lidhur me motivin e dytë, shoqja e ngushtë e viktimës, Natasha Meta tregon në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” se ishte në dijeni të një konflikti. Sipas Metës, një muaj e gjysmë më parë Fatmira ka pasur një konflikt me ortakun e djalit në një karburant, ndërsa dje paradite ka shkuar sërish për ta takuar.
Natasha, mund të na tregosh si e njihje Fatmirën?
Ne ishim shumë shoqe, për çdo gjë flisnim së bashku. Në mëngjes Fatmira vinte dhe e pinte kafen tek unë ose shkoja unë tek ajo. Pas vdekjes së djalit, ishte tronditur shumë dhe nuk gjente rehat. Sot në mëngjes erdhi si zakonisht dhe piu kafen në shtëpinë time. Më tha se do të shkonte të takonte një shokun e djalit, se ai e kishte marrë në telefon për të sqaruar disa gjëra.
Ju tha për çfarë bëhej fjalë?
Më tha që ishte shumë e shqetësuar. Se djali i saj kishte pasur një pikë karburanti dhe ortaku i Ervisit i kishte bërë shumë llafe dhe debate. Nuk i jepte paratë që i takonin nga biznesi.
Çfarë bëri sot?
U nis dhe shkoi e takoi. Nuk e di se si u shkoi biseda. Kur është kthyer nga Shkozeti ka ndodhur ngjarja. Unë e dëgjova që ajo i ka rënë borisë së makinës për gati 15 minuta, por mendova që ka defekt qepeni. Qepeni i garazhit është elektronik, hapet me pult, dhe mendova që është bllokuar garazhi e nuk dola në dritare të shihja ç’bëhej. Kur ajo i binte borisë, unë dilja përherë në ballkon dhe e përshëndesja sa vinte.
Po më parë, ju ka treguar për konflikte?
Po, që para një muaji e gjysmë. Kishte qenë në Shkozet edhe atëherë dhe kur erdhi dridhej e gjitha. Atje tek karburanti që kishte djali i saj, ortak me një tjetër, e kishin kërcënuar shumë. Ishte zverdhur e ishte bërë dyllë. Më tha që “më ofenduan e më kërcënuan në sy të të gjithë punëtorëve të karburantit”. Nuk e di pse e kanë vrarë, por duhet që policia t’i gjejë urgjent vrasësit e t’i vërë para drejtësisë, se ajo vdiq me plagë në zemër.
/Gazeta Shqiptare/





