TIRANE-Kam folur me Florijen vetëm një herë në telefon. Ajo ka probleme me kujtesën". Këto janë fjalët që pohon Eriselda Gubere, vajza tjetër që pas aksidentit të Himarës u dërgua për kurim në Austri. 

Në një lidhje telefonike, 22-vjeçarja pohon se është tronditur kur ka marrë vesh për atë çfarë i ka ndodhur shoqes së saj. "U trondita shumë kur e mora vesh. Fola me vëllain e saj, Gazmendin, që më tha se 'është e vërtetë kjo që ka ndodhur, por nuk e dimë se kush e ka bërë një veprim të tillë'", – rrëfen Eriselda.

Sipas saj, dy vajzat nuk kanë qenë në të njëjtin vend kurimi. Vajza nga Lushnja sqaron se, pas aksidentit, Florija ka ngelur me pasoja, jo vetëm fizike, por edhe mendore. "Unë kam folur vetëm një herë me Florijen; ajo nuk mban mend çfarë ka ndodhur, ka probleme me kujtesën", – shton Eriselda.

Madje, ajo pohon se shoqja e saj as nuk mban mend asgjë nga kurimi në Austri, duke qenë e hutuar edhe për shtatzëninë e saj. "Më tha vëllai i saj, se Florija nuk mban mend asgjë nga koha e kurimit në Austri dhe në këtë mënyrë nuk i kujtohet asgjë lidhur me shtatzëninë e saj", – pohon 22-vjeçarja nga Lushnja.

Ajo tashmë vazhdon studimet për master në kryeqytet, ndërkohë që pohon se është e vetëdijshme për çdo moment që ka kaluar në jetën e saj dhe se kujton çdo detaj që nga koha e aksidentit. Eriselda sqaron se pas aksidentit nuk ka probleme me kujtesën, por ka vetëm një problem me këmbën e saj.