Nga BUJAR QESJA
Jetojmë kohën e një shoqërie të hapur dhe si rrjedhojë shoqja jonë “amerikane” Teuta Shahini, është në përvjetorin e lindjes. Dhe ky përvjetor nuk është si të tjerët, pasi është arritur shifra 70 vite, e barabartë me shtatë dekada dhe më pak se treçerekshekulli.
Teuta Shahini! Ti durrsakja e jonë, vajza e të mirnjohurit Sure Shahini, kishe një bukuri të rrallë që në rininë e hershme. Por bukuria jote ra edhe më shumë në sy nga bukuria shpirtërore. Zoti të bashkoi nurin, pamjen me zemrën. Nuk ka më mirë. Jemi së bashku në 70 vjetorin e lindjes, pasi me 15 gusht e plotësova edhe unë. Patjetër një bilanc jetësor shumë i ngarkuar.
Ku 70-të vjetor të gjen në Las Vegas, në shtetin Nevada të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Atje shkove prej vitesh të jetosh në tokën e lirë, të një shteti të lirë, të asaj që quhet demokracia e famshme amerikane. Shkove me dy fëmijët dhe bashkshortin tënd, Avniun e njohur të Mulajve. U akomodove jo fort lehtë dhe tani je në jetesën e plotë amerikane. Prekëse mbetet largimi i Avniut nga jeta. U përpoqëm që të qëndronim afër prej Durrësit tonë, duke të kujtuar që ai do të mbesë për jetë me ne, duke u ngritur dhe fjetur me kujtimet tona më të mira. Të dërguam shpirt, të dhamë lule zemre, që ta kaloje këtë moment delikat për ty dhe familjen tënde.
Me ty Teuta na lidhin kujtimet e moshës. Ti ishe një recituese e shkëlqyer. Sa bukur të qëndronte nuri mbi vargje! Përparësja e zezë, me jakën e bardhë të çfaqte si një zambak që vetëm lulëzoje. Që të dy mbaruam të njëjtën shkollë, atë të gazetarisë profesioniste. Dhe të ra rasti të punoje në gazetën aq të dashur të zanatit tonë “Adriatiku”, që na përkundi mbi lapsin e profesionistëve si Shaban Hidri, Hamdi Sallaku, Haxhi Shima, Kozeta Mamaqi, Hasan Ulqini, Thoma Qendro dhe ku patëm miq e bashkëpunëtorë të ngushtë, që ndërtuam një vëllazëri të çmuar si të njohurit Moikom Zeqo, Petraq Risto, Bardhyl Agasi, Bashkim Hoxha, Ilia Dede, Demir Gjergji, Mark Brunga, Maliq Estrefi etj. Dhe ne ishim së bashku në këtë rrugëtim të vështirë të jetës.
Mbaj mënd që patëm disa gëzime. Moikomi ynë lidhi jetën me studiuesen e njohur Lida Miraj, ti gjithashtu u bashkove përjetësisht me poetin e lindur Avni Mulaj, Kozeta Mamaqi e shkëlqyera e jonë ishte në lindjen e fëmijës së parë- Sokoli i paharruar. Bashkëpunuam të gjithë së toku, në të mirë të një qëllimi qytetar dhe profesional dhe ti mbeteshe gjithnjë Teuta e bukur, më buzëqeshjen që të qëndronte si trëndafil mbi buzë. Teuta lozonjare që s’të pashë njëherë të nxeheshe, të ngrije zërin, por veçse buzëqeshje shpërndaje. Dhe kur ishim të lodhur nga ngarkesat e ditës, bisedonim me ty dhe amortizonim goxha.
Më pas kalove në bibliotekën e qytetit. Dhe aty le një emër të mirë. Dhe pastaj Amerika e largët në distancë, por shumë e afërt shpirtërisht me ne, u bë Atdheu yt i dytë. Por edhe atje nuk ndryshove. U ktheve në një aromë Durrësi në Amerikë. Edhe atje mbete Teuta e bukur dhe e mahnitshme.
Ti ke një zemër të madhe Teuta. E vë re në të gjitha reagimet që bën, në shënimet dhe urimet që shpërndan nëpërmjet fb, duke na thënë që jam aty me ju, gëzoj dhe hidhërohem së bashku me ju. Dhe këtë ne e ndjejmë, e prekim, pasi është prania e një shoqe, që na ka shoqëruar nga fëmijëria e deri tani që kanë nisur të na thonë “pleq”.
Teuta e bëra këtë rezume, pasi të tilla po bën përditë ti për ne. Pa u lodhur dhe me shumë dashuri, me shumë respekt, me shumë kënaqësi. Kur vjen ti në tokën tënde, luan një Durrës nga vendi. Ti i takon të gjithë. Ke mall për të gjithë, prandaj edhe të duam dhe të duan. Ti je kthyer si një mbretëreshë e kësaj miqësie pa interes dhe të dobishme.
Teuta Shahini! Teuta Mulaj! Dy mbiemra një jetë. Dy mbiemra, një vazhdimësi. Sot në këtë 10 dhjetor 2021, ti ke ditën e madhe të lindjes, madje je në 70-të vjetorin e jetës. Sigurisht shifrat do të ndryshojnë. Siç ka dëshirë ta quajë Gëzim Kabashi, je me një prefiks të ri. Të uroj shumë gëzime, pa e ndarë edhe nga gëzimet e fëmijve të t’u të shtrenjtë. Mbarësi pa fund dhe shëndeti qoftë i pastër, si kthjethtësia dhe thellësia e Atlantikut që lag tokën e bekuar ku jeton.
Si dhuratë për këtë jubile, po të dërgoj këtë foto, këtë kujtim të jashtëzakonshëm pasi është foto e vetme që kam dalë me ty. Kjo dhuratë zbukurohet akoma më shumë, pasi në të është edhe prezenca e bashkëshortes time shumë të dashur Kostandinës dhe Violeta Ramës (Demiri), një kolege, bashkëpunëtore dhe mike e çmuar e jona.
Arritsh dhe festofsh edhe përvjetorë të tjerë, jubile të tjerë, për kënaqësinë tënde së pari, të familjes tënde së dyti dhe tonën së treti!
Durrës: 10 dhjetor 2021