Bashkia Durrës njofton në faqen e saj zyrtare se me datë 23 dhjetor, ora 10.00, do të zhvillohet shorteu publik i radhës për të pastrehët e tërmetit

Bëhet fjalë për shpërndarjen e apartamenteve me strukturë 2+1, në pallatet e reja të ndërtuara në zonën e re për zhvillim nr.4, Spitallë, Durrës.

“Bashkia e Durrësit njofton përfituesit nga programi i rindërtimit se shorteu publik me objekt shpërndarjen / caktimin, midis përfituesve nga procesi i rindërtimit, me strukturë të apartamentit 2+1 në Zonën E Re Për Zhvillim Nr.4, Spitallë, Durrës do të zhvillohet më datë 23.12.2024 në sallën e Pallatit të Kulturës duke filluar nga ora 10:00.

Nëpërmjet këtij njoftimi thirren të gjithë përfituesit sipas listës bashkëlidhur. Mosparaqitja në këtë shorte e personave përfitues i heq të drejtën e ankimimit apo pretendimeve lidhur me rezultatet e këtij shorteu publik”,- shkruhet ndër të tjera në njoftimin e bashkisë.

Ajo që bie në sy, krahasuar me dy shortetë e mëparshëm publikë, të zhvilluar për shpërndarjen e apartamenteve të sitit të Spitallës, është lista shumë e reduktuar e përfituesve.

Në listën që shoqëron njoftimin e bashkisë janë vetëm 20 familje, ndërkohë që në dy shortetë e njëpasnjëshëm, që u zhvilluan në fund të muajit gusht dhe fillim të shtatorit, u shpërndanë rreth 500 apartamente, nga 996 që ka në total zona e re e rindërtimit në periferi të Durrësit.

Nuk dihet nëse lista ekzistuese do të pësojë ndryshime deri më datë 23 dhjetor, ashtu siç pësuan listat e mëparshme të shorteve publikë, ku u shpërndanë apartamentet e sitit të Spitallës.

M.B.