29 korrik 2015 – Mendimet dhe opinionet e emrave të njohur të futbollit në Durrës dhe në gjithë Shqipërinë kanë qenë të ndryshme, pas shortit të hedhur për eliminatorët e botërorit “Rusi 2018’, ku skuadra jonë kombëtare është pjesë e grupit G së bashku me Italinë, Spanjën, Maqedoninë Izraelin dhe Litenshtejnin.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Dyrrah”, Niko Jani, një emër mjaft i njohur i futbollit durrsak në vitet ‘80-të jep një vlerësim për grupin e kuqezinjve, rrugëtimin në këto eliminatore, rivalët tanë të drejtpërdrejtë në grup dhe shanset për kualifikim.

Si e vlerësoni shortin e kombëtares sonë në eliminatoret e botërorit “Rusi 2018” ?

Në këndvështrimin tim e shoh nje short tepër pozitiv, kjo parë në dy aspekte, në atë sportiv dhe financiar.

Në aspektin sportiv pasi më në fund u realizua ëndrra besoj e shumë e shumë shqiptarëve për ta pasur në grup Italinë, ku futbollin e këtij vendi e kemi ndjekur për vite me radhë. Shorti na jep mundësinë të përballemi me përfaqësuesen italiane në ndeshje zyrtare, dhe duke qëndruar në këtë pikë kombëtaren tonë e shoh kandidaten kryesore për vendin e tretë në grup. Dhe në aspektin financiar ky grup sjell për FSHF-në të ardhura të konsiderueshme nga e drejta televizive pasi luajmë me dy skuadra të mëdha të nivelit botëror, Italinë dhe Spanjën.

Edhe kalendari i ndeshjeve duket se na favorizon në start. A ndani dhe ju këtë mendim ? 

Po, kemi një kalendar favorizues në start, pasi i nisim këto eliminatore me ndeshjen e parë kundër Maqedonisë në fushën tonë dhe në ndeshjen e dytë luajmë në transfertë kundër Litenshtejnit. Besoj se në këto dy ndeshje marrin 6 pikë të plota, dhe kjo nuk është pak për ne.

Cilën prej skuadrave shikoni si rivalen tonë të drejtpërdrejtë ? 

Kundështari ynë i drejtpërdrejtë mendoj se do të jetë Izraeli që do të luftojë deri në fund me ne për vendin e tretë në grup. 

Po Maqedoninë si e shikoni ?

Nuk e shoh Maqedoninë të rivalizojë me ne, besoj se përfaqësuesja jonë qëndron më lart, madje kam bindjen se këtij ekipi ne i marrin 6 pikë.

Nga përballjet e dyfishta me Italinë dhe Spanjën me sa pikë do të ishit i kënaqur ?

Duke qenë realist për koeficentin e lartë të vështirësisë që paraqesin këto ndeshje, unë do të isha i kënaqur që nga 12 pikë të mundshme të merrnim 4 pikë.

Sa e frikshme është kjo kombëtare për të gjithë kundështarët e grupit ?

Tashmë kombëtarja jonë nën drejtimin e De biazit është rritur shumë dhe mund të arrijë rezultat pozitiv ndaj kujtdo skuadre, pavarësisht emrit që ka. Si Italia ashtu dhe Spanja nuk do ta kenë aq të lehtë me ne, dhe këtë ne e kemi treguar më së miri në fushën e lojës, mjafton këtu të kujtoj vetëm fitoren e fundit arritur ndaj Francës, një emër i madh në futbollin Europian dhe atë botëror. Nga mënyra e lojës dhe ngjyra e fanellës dukemi si një Spanjë e vogël.

Dhe së fundi, si e shikoni ecurinë e kombëtares sonë në ndeshjet e mbetura nga këto eliminatore të vlefshme për “Francë 2016”. Sa shanse ka Shqipëria për një vend në këtë europian?

Shqipëria ka shanse reale për të siguruar një vend në finalet e këtij Europiani, dhe e them me bindje se do tja dalim. Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në favorin tonë na jep të drejtën e një përllogaritjeje të re. Në mënyrë figurative mund të them se për t’u kompletuar për në “Francë 2016”, masën e këpucëve  e marrim në Danimarkë, atë të këmishës në “Elbasan Arena” kundër Portugalisë, të kostumit në Shkodër kundër Serbisë  dhe në fund kravatën për t’u kompletuar drejt Europianit e vendosim në Armeni.

Intervistoi: Monad Fama

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/