Shqipëria dhe Kosova mësojnë sot kundërshtarët e eliminatorëve të Botërorit “Katar 2022”. Në orën 18:00, në Zyrih të Zvicrës, do të hidhet shorti i eventit madhor të pas dy viteve, që do të zhvillohet, ndryshe nga herët e tjera, në dimër.

Janë 54 përfaqësuese, të ndara në gjashtë vazo të ndryshme, që do të formojnë gjithsej 10 grupe. Pesë grupe do të formohen me nga gjashte ekipe ndërsa pesë të tjera do të kenë nga pesë skuadra.

Kuptohet që në vazon e parë janë përfaqësueset që do të jenë kokë grupi. Ndarja në vazo është bërë sipas koeficientit që ka çdo skuadër në bazë të paraqitjeve në eliminatoret e fundit.Shqipëria ndodhet në vazon e katërt dhe teorikisht mund të ketë një ose dy kundërshtarë më të dobët në letër në grup, varet nga shorti (nëse do të jetë në një grup me pesë apo me gjashtë skuadra).

Ndërkohë Kosova ndodhet në vazon e pestë, që do të thotë se teorikisht do të ketë kundërshtarë më të fortë se kuqezinjtë.Gjithashtu ekziston rreziku që Shqipëria dhe Kosova të shortohen në të njëjtin grup, pra të kemi dy vëllazërore zyrtare në eliminatoret e Botërorit.

Për shkak të tensioneve politike, do të shmanget prania në të njëjtin grup të Kosovës ndaj Serbisë, Rusisë dhe Bosnjë Hercegovinës. Rusia gjithashtu nuk mund të ketë kundërshtare Ukrainën apo Armenia Azerbajxhanin.

Edhe Spanja e Gjibraltari nuk mund të shortohen në të njëjtin grup.Eliminatoret e “Katar 2020” do të nisin më 25 mars të vitit të ardhshëm dhe do të mbyllen më 26 tetor.

Kuptohet që kalendari për shumë përfaqësuese europiane do të jetë tepër i ngjeshur gjatë vitit 2021 pasi në verë do të zhvillohen finalet e Euro 2020, event që u shty një vit për shkak të pandemisë së Koronavirusit.

Formula e kualifikueseve

10 fituesit e grupeve do të kualifikohen direkt në Kupën e Botës 2022. Këtyre do t’iu shtohen edhe 3 skuadra, që do të arrijnë të fitojnë “play-off”-in, në të cilin do të marrin pjesë 10 vendet e dyta  si dhe dy ekipi që vijnë nga Liga e Kombeve. “Play off”-et do të luhen me një ndeshje të vetme në dy raunde.