Durrës, 23 qershor 2014 – Kukësi dhe Laçi kanë fituar të drejtën e pjesëmarrjes në Ligën e Europës si vendi i dytë dhe i treti i kampionatit, ndërsa Flamurtari si fitues i Kupës së Shqipërisë. Të tria klubet e nisin nga turi i parë paraeliminator. Mirëpo, ndryshimi është se Kukësi dhe Flamurtari ishin në vazon e skuadrave që shikoheshin si favorite për të kaluar më tej.
Në këto kushte, kundërshtarët që pritej të kishin kuksianët dhe vlonjatët, ishin praktikisht të kalueshëm. Në fakt, goglat e shortit në Nion të Zvicrës janë treguar bujare deri diku, edhe pse nuk mund të vlerësosh asgjë të lehtë për verilindorët dhe vlonjatët. Kështu, Flamurtari i trajnerit Ernest Gjoka do të luajë ndaj Sioni Bolnisi të Gjeorgjisë, ndërsa Kukësi i Agim Canajt ndaj Kairat Almaty të Kazakistanit.
Nga ana tjetër, një short të pranueshëm ka pasur edhe Laçi, i cili në bazë të koeficientit që kishte, renditej në grupin e skuadrave favorite dhe rrezikonte të përballej me klube të njohura në Europë si Rosenborg, Liteks dhe deri tek Inter Baku e Shahtar Karagandi, skuadra që u përballën me Skënderbeun në Champions edicionin e shkuar.
Gjithsesi, kurbinasit patën fat duke peshkuar ekipe të dorës së dytë, sojin tonë, sikurse mund të konsiderohet edhe NK Rudar Velenje e Sllovenisë. Takimet e para të turit të parë të Ligës së Europës do të luhen më 3 korrik, ndërsa ato të kthimit më 10 korrik. Të tria skuadrat tona, pjesëmarrëse në Ligën e Europës, do t’i luajnë ndeshjet e para në transfertë, ndërsa të kthimit në shtëpi.
Diçka mbi kundërshtarët e Ligës së Europës
FC Sioni Bolnisi është një klub futbolli gjeorgjian, i bazuar në Bolnisi. Klubi u themelua në vitin 1936. Pasi kaloi disa vjet në kategoritë më të ulëta të futbollit gjeorgjian, midis viteve 1990 dhe 1995, Sioni fitoi të drejtën të luajë në “Umaglesi Liga” për sezonin 1995-1996 dhe aty merr pjesë qysh atëherë. Në sezonin 2003-2004, Sioni dhe FC WIT Georgia ndanë vendin e parë në ligën gjeorgjiane të futbollit, teksa u desh që titulli të vendoset në një ndeshje shtesë. WIT fitoi 2-0, por dhuna e turmave të tifozëve gjatë ndeshjes e detyroi UEFA-n t’ia ndalojë Sionit pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Megjithatë, në sezonin 2005-2006, Sioni fitoi titullin në Gjeorgji dhe përfaqësoi këtë vend në Ligën e Kampioneve. Kjo skuadër, përvec titullit në vitin 2006, ka qenë edhe finalist i Kupës së Gjeorgjisë në vitin 2003, finalist i Superkupës së Gjeorgjisë në vitin 2006, kampion i “Georgian Soviet Cup” në vitin 1986 dhe kampion në “Pirveli Liga”, në vitin 1995.
NK Rudar Velenje, ose thjesht Rudar, është një klub futbolli slloven nga Velenje, që aktualisht luan në “PrvaLiga” të këtij shteti ballkanas. Në fund të sezonit 2005-2006, ata zbritën në Ligën e Dytë Sllovene. Në sezonin 2007-2008 e përfunduan të parët këtë kategori të futbollit slloven dhe në këtë mënyrë u rikthyen sërish në elitë.
Rudar është themeluar si klub në vitin 1948. President i tij është Dejan Radovanovič, ndërsa trajner Jernej Javornik. Uniformat e skuadrës janë krejtësisht të kuqe, ndërsa u niforma rezervë krejtësisht e bardhë. Ka një stadium të vogël, me një kapacitet prej 2341 vendesh. Shumica e lojtarëve të skuadrës ekzistuese janë sllovenë, por ka mes tyre edhe kroatë e boshnjakë.
FC Kairat Almaty është një klub kazak futbolli, që luan në stadiumin “Almaty”. Ashtu si shumë klubeve në ish-Bashkimin Sovjetik, edhe ata kaluan nëpër një sërë ndryshimesh të emrit në historinë e tyre. Fillimisht ishin të njohur me emrin Lokomotiva Almaty, themeluar në vitin 1954, ndërsa më vonë u bë Urozhai Almaty, përpara se të vendoste emrin e sotëm, Kairat. Ata ishin ekipi kryesor i Kazakistanit gjatë epokës sovjetike, i vetmi klub ndonjëherë që konkurroi në “Soviet Top League”. FC Kairat Almaty fitoi Ligën e Parë Sovjetike (shkalla e dytë e konkurrencës) në vitin 1976 dhe 1983. Ekipi në fjalë korri suksesin më të madh në Superligën Sovjetike duke u renditur në vendin e 7-të, në vitin 1986, një rekord për një ekip të Azisë Qendrore. Gjatë ekzistencës së Bashkimit Sovjetik, Kairat Almaty ishte pjesë e Sporteve Vullnetare të Shoqërisë “Kairat”.
Pas ndarjes nga ish-Bashkimi Sovjetik, Kairat Almaty ka luajtur tri herë në raundet kualifikuese të Kupave të Europës, por kurrë nuk ka përparuar një raund të vetëm. Në fund të sezonit 2006, sponsori kryesor i klubit u bë kompania hekurudhore kombëtare e Kazakistanit, e cila u tërhoq shpejt. Kjo precipitoi në një krizë financiare, e cila zgjati deri në fillimin e sezonit 2007. Si pasojë, shumica e lojtarëve të klubit kaluan në ekipet e tjera. Klubi hyri në garë sezonin 2007 me një ekip të ri, pa përvojë. Në korrik të vitit 2007, një grup investitorësh privatë morën përsipër klubin në fjalë dhe investuan rreth 4.000.000 USD. Për pasojë, Kairat Almaty përparoi deri në çerekfinale të Kupës Kombëtare të Kazakistanit, por ishte shumë dobët në kampionat, ku e mbylli në vendin e 13-të këtë sezon. Në fillim të vitit 2009, klubi deklaroi vetëfalimentin dhe kësisoji zbriti në Divizionin e Parë. Në nëntor 2009, Kairat u bë kampion i Divizionit të Parë dhe u promovua sërish në “Premier League” të Kazakistanit.
Sa u përket trofeve, kjo skuadër ka fituar 2 herë titullin në Premier Ligën e Kazakistanit (1992 dhe 2004), 5 herë Kupën e Kazakistanit (1992, 1996, 1999, 2001, 2003), një herë titullin në Divizionin e Parë të Kazakistanit (2009).
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





