15 dhjetor 2014 – Short spektakolar për 1/8 e Champions League. Goglat në Nyon të Zvicrës konfiguruan përplasje spektakolare që nuk mund të mungojnë në këtë fazë të kompeticionit madhor për klubet, por duke u treguar njëkohësisht bujare me disa nga pretendentetët kryesorë për trofeun dhe njëkohësisht dy fituesit e fundit të tij, Realin e Madridit dhe Bajernin e Mynihut.
Me rregullat tashmë të njohura, pamundësinë e përballjes në 1/8 të skuadrave që vinin nga i njëjti grup, apo dhe skuadrave nga i njëjti vend, fati vendosi dy përballje që janë parë në vitet e fundit dhe premtojnë shkëndija, si për shëmbull ajo mes Manchester City-t dhe Barcelonës, dy skuadra që luajnë me ambiciet madhore në Champions dhe përplasen për të dytin vit radhazi në 1/8 e Champions League. Vitin e kaluar, Barcelona kalonte me rezultatin e përgjithshëm 4-1 por që atëherë shumë ujëra kanë rrjedhur dhe fytyra e Drejtorit Sportiv të katalanasve Zubizareta në ceremoninë e shortit nuk shprehte aspak gëzim për këtë shans revanshi të Citizens, përkundrazi. Një tjetër përballje fantastike që vjen sërish si përsëritje e dueleve të sezonit të kaluar është dhe ajo mes Paris Saint-Germain dhe Chelsea, Zlatan Ibrahimovic kundër Jose Mourinhos, të dyja skuadrat u ndeshën një vit më parë në cerekfinale dhe londinezët kaluan vetëm falë regullit të golit të shënuar në fushë kundërshtare, pasi fituan 2-0 në shtëpi kur kishin humbur 3-1 në Paris. Chelsea bëri dhe një biznes të mirë verën e kaluar me klubin e sheikëve duke shituar atje David Luiz që këtë herë do të bëjë maksimumin për të cuar PSG në cerekfinale. Short deri diku i përballueshëm për Juventusin. Kampionët e Italisë evituan përballje të frikshme me Realin e Madridit apo Bajernin e Mynihut dhe në 1/8 do të ndeshen me Borussian e Dortmundit. Padyshim që verdhezinjtë e Klpp nuk po shkëlqejnë në këtë moment, por kjo përballje ngjall për italianët kujtime të hidhura në Champions, si për shembull disfata 3-1 që pësuan në finalen e vitit 1997, kur shënonte dygolëshin vendimtar për skuadrën gjermane edhe Karl-Heinz Ridel, i cili hodhi shortin e kësaj faze. Shorti ishte vërtet fatlum për Realin e Madridit, kampionët në fuqi të Europës peshkuan në duelin për 1/8 Schalken, skuadër ndaj së cilës madrilenët mund të thuhet me plot gojën se shëtitën në 1/8 e sezonit të kaluar kur u shënuan plot 9 gola bluve mbretërorë. Me fat edhe Bajerni i Mynihut, skuadra e Pep Guardiolës do t'i duhet të bëjë kujdes në 1/8 nga brazilianët e Shaktarit që gjithsesi nuk mund të konsiderohet një kundërshtar i frikshëm për bavarezët. Përballje interesante do të jetë padyshim ajo mes Bayer Leverkusen, një skuadër që luan e gjitha përpara dhe do të ndeshet në 1/8 me Atletikon e Madridit, formacionin kompakt që aplikon katenacion e Diego Simeones. Rikthim në të kaluarën për Arsen Wenger me Arsenalin e tij që u shortua me Monacon, skuadrën nga ku francezi nisi rrugën e famës si trajner nme një formacion ku luante edhe George Weah, ndërkohë që ka një llogjikë edhe teka e goglave për të vënë kundër njëra tjetrës Bazelin dhe Porton në një duel të ekuilibruar. Është kjo tablo e parë e 1/8 të Champions, një ndërhurje premtimi për spektakël, e duelesh revanshi, me takimet e para që do të luhen në 17-18 shkurt dhe 24-25 shkurt ndërsa ato të kthimit në 10-11 mars dhe 17-18 mars.
PSG-CHELSEA
CITY-BARCELLONA
BAYER LEVERKUSEN-ATL. MADRID
JUVENTUS-BORUSSIA DORTMUND
SCHALKE-REAL MADRID
SHAKTHAR-BAYERN MONACO
ARSENAL-MONACO
BASILEA-PORTO





