Ashtu si çdo vit tjetër, qyteti bregdetar zgjodhi këtë të premte Miss dhe Mister Durrësi 2012. Pas një gare të fortë mes gjimnazistëve më bukuroshë të shkollave të mesme të qytetit kurorën e bukurisë e merituan Daniela Bajaziti dhe Grei Çollaku. Pas mëse një muaji përzgjedhjesh dhe provash të shumta organizatorët e këtij konkursi bukurie ngjitën në skenën e pallatit të sportit “Ramazan Njala” 32 të rinjtë që garonin për të zgjedhur mes tyre më të bukurën dhe më të bukurin e rinisë durrsake.
Atmosfera e pallatit të sportit ishte shumë e ndezur, pasi shkallët e tij ishin mbushur plot e përplot nga prindër të konkurentëve dhe nxënës të shkollave të mesme që kishin ardhur të mbështesnin përfaqësuesit e shkollave të tyre. Në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë, skena e këtij spektakli bukurie ishte konceptuar nga Petraq Rama në formën e një shqiponje dy krerëshe, simboli i flamurit tonë kombëtar.
Gjithashtu edhe në koreografitë e punuara me mjaft kujdes nga Arjan Plaku dominonin ngjyrat kuq e zi. Krahas përzgjedhjes së Miss dhe Mister Durrësit, juria e spektaklit ndau dhe çmime të tjera. Kështu Miss dhe Mister Fotozhenia u shpallën gjimnazistët Viola Bodlli dhe Ardian Gurra,
Miss dhe Mister Antik u përzgjodhën Erida Shehu dhe Fatjon Koliçi, çmimin Miss Eleganca e rrëmbeu bukuroshja Anxhela Bajaziti, ndërsa Miss Buzëqeshja Xhefi Muzhaqi. Krahas sfilatave të vajzave dhe djemve, atmosferën në sallë e ndezën edhe më shumë interpretimet e këngëtarëve të mirënjohur Redon Makashi dhe Vesa Luma, kjo e fundit ishte edhe në cilësinë e anëtares së jurisë.
Ndërkohë një surprizë e këndshme ishte ngjitja në skenë dhe interpretimi i ngrohtë i Laura Nezhës, regjizores së këtij konkursi bukurie. Ndërsa minutat kalonin, ankthi dhe emocionet shtoheshin edhe më shumë, sepse nga gjashtëshja finaliste do të dilnin Miss dhe Mister Durrësi 2012. Ndërkohë që juria po merrte vendimin final, publiku në sallë brohoriste emrat e Danielës dhe Greit.
Dhe vërtet mendimi dhe dëshira e publikut u bashkua me atë të jurisë e cila shpalli Miss Durrësi Daniela Bajazitin, nxënësen e vitit të parë të shkollës së mesme “Kasa” dhe Grei Çollakun, nxënës në vitin e dytë tek “Mihal Ekonomi”. Për dy fituesit, UET akordoi nga një bursë të plotë studimi nëse do të duan të vazhdojnë shkollën e lartë pranë këtij universiteti.
Daniela: Pasioni im është moda
Menjëherë pas marrjes së titullit më e bukura e Durrësit, sytë e Danielës u mbuluan nga lotë gëzimi. E emocionuar, por dhe shumë e lumtur ajo tregoi në një intervistë për gazetën “Dyrrah” se do t’i përkushtohet tashmë modelingut.
Daniela, ç’do të thotë për ty ky çmim?
Jam shumë, shumë e lumtur, nuk di se çfarë të them. Konkurenca ishte shumë e madhe dhe u emocionova mjaft kur dëgjova emrin tim.
E prisje?
Edhe e prisja edhe nuk e prisja. Më shumë e shpresoja. Ishte një surprizë e madhe për mua.
Ti konkuroje edhe përballë motrës tënde, Anxhelës. Si ndiheshe?
Ishte një konkurencë e madhe dhe jam e lumtur që fitova. Ndihem e lumtur që dhe motra ime mori çmimin Miss Eleganca.
Mendon se ky çmim do të hapë për ty dyert e artit?
Besoj se ky është vetëm hapi i parë, sepse unë synoj të vazhdoj në këtë rrugë. Pasioni im është modelingu dhe shpresoj t’ia dal mbanë.
Po përsa i përket studimeve?
Fakti që na u akordua një bursë nga UET më nxit të mos i lë pas dore studimet.
Grei: Synoj Milanon dhe “Fashion TV”
I lumtur dhe me sytë që i shkëlqejnë nga gëzimi, Grei nuk mbaron së përqafuari me të afërm, shokë e familjarë që e urojnë për çmimin. Shtatlarti durrsak aspiron të shkojë në Milano, qendrën e modës botërore dhe të shfaqet si model në “Fashion TV”
Grei, ç’do të thotë për ty ky çmim?
Ky çmim uroj të më hapë dyert e modës, pasi synoj të vazhdoj karrierën aty, pse jo dhe jashtë shtetit.
E prisje çmimin?
E shpresoja, por nuk e prisja.
Konkurenca si ishte?
Konkurenca ishte e fortë, për më tepër që kisha përballë shokun tim të ngushtë. Do ndihesha i lumtur po ta fitonte ai çmimin e parë dhe më pak i lumtur nëse do e merrte ndonjë konkurent tjetër.
Si organizim spektakli si tu duk?
Zyshë Myzejeni dhe regjizoja e këtij konkursi bukurie kishin bërë një punë shumë të mirë.
Për ty hapen tashmë dyert e artit e të modelingut. Ti vetë ku synon?
Unë dua të vazhdoj me modelingun, të shkoj në Milano e të shfaqem tek sfilatat e “Fashion TV”.
Po studimet?
Normalisht që do t’i vazhdoj rregullisht. Tani fitova dhe një bursë e dua të vazhdoj juridikun.