Të emocionuar, por dhe shumë të lumtur sepse iu kurorëzua ëndrra. Tea Jahja dhe Kleo Kulja janë Miss dhe Mister Durrësi 2023.
Të përzgjedhur mes 48 bashkëmoshatarëve të tyre, gjatë spektaklit të bukurisë të zhvilluar mbrëmjen e mërkurës, dy adoleshentët nga Durrësi rrëfejnë për emocionet e provuara në skenë.
“U ndjeva shumë e emocionuar. Synimi im tani është televizioni, dua të bëhem këngëtare, sepse e kam ëndërr. Çmimin ia dedikoj familjes sime, veçanërisht babit”,- thotë 16-vjeçarja Jahja, nxënëse në shkollën artistike ‘Jan kukuzeli”.
Ndërsa për 18-vjeçarin Kulja, fitorja e spektrit të bukurisë mashkullore është një dedikim për nënën e tij.
“Kjo fitore do të jetë një eksperiencë e paharruar për mua”,– thotë Kleo vetëm pak minuta pas marrjes së titullit.
Për 21 vite me radhë, producentja Myzejen Konduri organizon spektaklin e bukurisë në qytetin bregdetar. Për të, ky është një impenjim i bukur dhe plot vlera.
Dy fituesit e konkursit të bukurisë fituan dhe një bursë studimi nga njëri prej universiteteve jopublike në vend.
Konkursi i bukurisë ofroi një spektakël të vërtetë në Pallatin e Sportit, pasi sfilatat e konkurentëve pjesëmarrës, tingujt e muzikës së këngëtarëve të mirënjohur Mateus Frroku, Olta Boka, Xhesika Polo, këngët dhe vallet e ansamblit “Arjan Plaku” u shoqëruan shpeshherë nga duartrokitjet e zjarrta të publikut që i ndiqte në sallë.
M.B.