Spektakli i bukurisë Miss dhe Mister Turizmi 2023 kurorëzoi mbrëmë fituesit. Kurora e më të bukurës i shkoi 16-vjeçares Tea Jahja, që pak muaj më parë u shpall Miss Durrësi.

Ndërsa skeptri i më të bukurit iu dha 18-vjeçarit nga Tirana, Klajvert Nazo.

Edicioni i 19-të i spektaklit Miss dhe Mister Turizmi këtë herë erdhi ndryshe, pasi pasarela ku parakaluan konkurentët ishte ngritur në sheshin qendror të qytetit 3000-vjeçar. Për producenten Myzejen Konduri, ky konkurs bukurie është një kartolinë e bukur për promovimin e aseteve turistike dhe të trashëgimisë kulturore të qytetit bregdetar, por jo vetëm.

Mes emocioneve të shumta, dy adoleshentët fitues folën për pritshmëritë e tyre pas këtij spektakli për t ‘u përfshirë në botën e modës dhe kinematografisë.

Për rreth 2 orë me radhë, publiku në shesh u argëtua jo vetëm prej sfilatave të 40 vajzave dhe djemve nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe nën ritmet e këngëve të Mateo Frrokut, Olta Bokës etj dhe valleve të ansamblit “Arjan Plaku”.

Një hapësirë e veçantë në spektakël i ishte rezervuar kulinarisë, ku pavarësisht moshës së re, të gjithë konkurentët kishin përgatitur gatime tradicionale nga trevat nga vinin. Më të talentuarit u vlerësuan me çmimin “Luga e argjentë”.

M.B.