Janë shpallur në kërkim dy djemtë e ish-deputetit Tom Doshi, Markos 20 vjeç dhe James Doshi 22 vjeç pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta në rrugën “Ismail Qemali” në Tiranë kanë goditur me sende të forta 38-vjeçarin me iniciale R.S.

Më pas, ata nuk i janë bindur urdhrave të punonjësve të Policisë për të ndaluar, por i kanë kundërshtuar duke i goditur për shkak të detyrës.

Së bashku me ata ishte dhe një person tjetër me iniciale E.L, i cili është kapur nga policia.

Ndërkohë, dy djemtë e Tom Doshit kanë ikur nga vendngjarja duke u shpallur në kërkim.

Njoftimi i Policisë:

Shpallën në kërkim për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Goditja për shkak të detyrës”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Prishja e qetësisë publike”, të kryera në bashkëpunim, shtetasit M. D., 20 vjeç dhe J. D., 22 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Këta 3 shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në rrugën “Ismail Qemali”, kanë goditur me sende të forta shtetasin R. S., 38 vjeç, dhe më pas nuk i janë bindur urdhrave të punonjësve të Policisë, për të ndaluar, por i kanë kundërshtuar ata, duke i goditur për shkak të detyrës. Shtetasi E. L. është vënë në pranga, ndërsa shtetasit M. D. dhe J. D. janë larguar. Vijon puna për kapjen e tyre.