7 vite disiplinë rigoroze, stërvitje e përditshme dhe një regjim i rreptë. E gjitha kjo ia vlejti, sepse sot 27-vjeçari nga Durrësi, Irdi Kashari, është kampion absolut mbarëkombëtar për fizikun mashkullor.

Në eventin sportiv Kupa e Shqipërisë dhe Kosovës, e organizuar nga Federata Kombëtare Bodybuilding & Fitness, i riu nga Durrësi është evidentuar mes shumë të rinjve të tjerë nga të gjitha trevat shqiptare për format perfekte.

Fizioterapisti dhe personal trajner Irdi Kashari iu fut seriozisht palestrës 7 vite më parë, kur pas një problemi shëndetësor u detyrua të linte futbollin.

Për “DurrësLajm”, ai rrëfen se që ditën e parë në palestër, objektivi i tij ishte një i vetëm; të shpallej kampion në bodybuilding.

Përpjekjet disa vjeçare u konkretizuan me sukses dhe pas pak ditësh, ai do të marrë pjesë në kampionatin ballkanik Bodybuilding & Fitness, që do të organizohet në Serbi, në datat 8-10 prill.

Edhe atje, objektivi i Irdit është i qartë; të kthehet në Shqipëri me kupën e kampionit ballkanik. Kjo është pjesëmarrja e tij e dytë në një aktivitet ndërkombëtar, pas përfaqësimit mjaft dinjitoz në kampionatin botëror të organizuar në Maqedoninë e Veriut, në vitin 2019, ku u përfshi në top 5-shen e më të mirëve të eventit.

Si një trajner i vetvetes, Irdi është përpjekur fort këto vite për të arritur format perfekte trupore dhe gjatë punës së tij si personal trajner në një nga palestrat e qytetit bregdetar, ai punon shumë me moshat e reja, që t’i orientojë ata drejt aktivitetit fizik dhe një regjimi ushqimor të shëndetshëm.

Ndërsa e pyes se a e ka menduar ndonjëherë të heqë dorë nga stërvitja intensive dhe regjimi i rreptë ushqimor, Irdi shprehet se tashmë kjo është kthyer në një stil jete për të dhe do të vazhdojë të ushtrohet gjithnjë.

E kur vetëm pak ditë na ndajnë nga kampionati ballkanik, urimi për Irdin është vetëm një;: U shpallsh kampion ballkanik!

M.B.