Shpallet kompania fituese për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Spitallës, një park me kapacitet prej 100 Megavatësh i cili do të ngrihet në një sipërfaqe prej 120 hektarësh.
Projektin e ka fituar kompania “Voltalia”, e cila ofroi një çmim prej 29.89 euro për megavat për 70 megavat të energjisë së prodhuar që do të parablihet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE).
Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku, në një konferencë për mediat e cilësoi ndërtimin e këtij parku një tjetër hap drejt diversifikimit të burimeve të energjisë, pas parakut fotovoltaik të Karavastasë.
“Paketa është ndarë që 70% e kësaj energjie do parablihen nga operatori i shpërndarjes me një cmim që shpresojmë të jetë i favorshëm për shtetin tonë e 30 megavat do përdoren në tregun e lirë duke përdorur bursën që e kemi krijuar, apo mënyra të tjera për të treguar këtë sasi që do mbetet te prodhuesi. Pamë me detaje ofertat tekinke të ardhura nga 45 kompani të mëdha që kanë eksperiencë në sektor e fakti që kompani të mëdha, me eksperiencë në fushën e ndërtimit të parqeve fotovoltaike, kanë treguar interes për të investuar në Shqipëri tregon dhe një herë se si të gjitha këto procese transparente, që garantojë një garë të hapur e rezultate përfundimtare të shkëlqyera e sjellin përfitim e për vendin e investitorët na nxisin e na japin kurajo për të vijuar më tutje”, u shpreh Balluku.





