Tërmeti i 26 nëntorit, përveç viktimave dhe dëmeve të mëdha në Durrës, shkaktoi tronditje edhe në institucionin e bashkisë. Konkursi për përzgjedhjen e kandidatëve për postin e Përgjegjësit të Sektorit të Prokurimeve në Drejtorinë Ligjore ishte lënë me datë 27 nëntor, por për shkak të fatkeqësisë natyrore ai u shty.

Ndërkohë, me një njoftim të publikuar në faqen zyrtare, bashkia njofton se procedura e konkurimit do të zhvillohet nga e para. Të gjithë kandidatët që do të konkurojnë për këtë post përmes Lëvizjes Paralele kanë afat deri më 26 dhjetor të dorëzojnë dokumentacionin përkatës.

Nga ana tjetër, kandidatët që do të konkurojnë për Ngritje në detyrë apo Pranim në Shërbimin Civil kanë afat deri më 7 janar 2020.  (Linku i publikuar nga bashkia Durrës: https://www.durres.gov.al/images/shpallje-pergjegjes-prokurimeve-Dec16.pdf)

Dorëheqja e ish-kryebashkiakes Valbona Sako u pasua me dorëheqjen edhe të personave që ajo kishte emëruar apo që ishin shpallur fitues në konkurs. Menjëherë pas Sakos u largua nënkryetarja Etleva Kondi si dhe Drejtoresha e re e Burimeve Njerëzore Irena Shkarpa, e cila nuk qëndroi në këtë post as një muaj.

Pas dorëheqjes së Shkarpës, bashkia e Durrësit ka shpallur sërish konkurs për këtë post.

Kandidatët që do të konkurojnë për Lëvizje Paralele kanë afat të dorëzojnë brenda datës 26 dhjetor dokumentacionin përkatës, ndërsa ata që do të konkurojnë për Ngritje në detyrë apo Pranim nga jashtë kanë afat deri më 7 janar 2020. .  (Linku i publikuar nga bashkia Durrës: https://www.durres.gov.al/images/Shpallje_pr_pozicion_t_lir_Drejtor_i_Drejtoris_s_Burimeve_Njerzore_n_Drejtorin_e_Prgjithshme_Ligjore_Arsim_Kulturore_dhe_Burimeve_Njerzore.pdf)

Ndërkohë, drejtoresha e re e Urbanistikës, Dorina Isufi, megjithëse u përzgjodh me konkurs gjatë kohës kur Sako drejtonte bashkinë, vazhdon të qëndrojë në këtë post. Isufi ka qenë për disa vite punonjëse e sektorit të Urbanistikës në vitet e qeverisjes së ish-kryebashkiakut Dako, ndërsa vitet e fundit mbante postin e Drejtoreshës së Urbanistikës në bashkinë e Shijakut.