Efektivët e policisë së Krujës kanë bërë të mundur identifikimin e personit që kanosi dhe goditi me sende të forta të dielën pasdite Blerim Çelën, koordinatorin e LSI-së për Fushë-Krujën.
Policia e Durrësit bën me dije përmes një njoftimi zyrtar se ai është shtetasi A.B. 22 vjeç, banues në Kamëz, i cili është shpallur person në kërkim.
Policia njofton se po punohet vetëm për kapjen e 22-vjeçarit, ndërkohë që të dielën në mbrëmje u raportua se kishin qenë disa persona që e goditën 42-vjeçarin teksa po futej në lokal.
Blerim Çela, banues në Arrameras, është edhe drejtor i shkollës 9-vjeçare në Fushë-Krujë.
NGJARJA
Rreth orës 18:00 të së dielës, disa persona kanë goditur me sende të forta koordinatorin e LSI-së për Fushë-Krujën. Çela ka qenë duke u futur në një lokal, Bar-Kafe në Fushë-Krujë, kur është konfliktuar dhe goditur nga disa persona. Pas ngjarjes, ai u transportua në Spitalin Ushtarak Tiranë ku mori ndihmën e parë mjekësore.
Në ambientet spitalore, shkuan për ta vizituar edhe vetë Ilir Meta, nënkryetari i LSI-së Luan Rama dhe kryesuesi i listës së Durrësit, Lefter Koka. Ky i fundit lëshoi akuza të forta në drejtim të Policisë së Shtetit për ngjarjen në fjalë, ndërsa Rama kërkoi shkarkimin e kryepolicit Haki Çako.





