Skerdi Faria, një nga doktorët më të njohur të estetikës në Shqipëri, është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit si pjesë e një operacioni të gjerë kundër kontrabandës së botoksit në qendrat estetike.

Ky aksion ka çuar në bastisjen e 30 qendrave estetike dhe parukerive, ku janë sekuestruar sasi të mëdha të botoksit të kontrabanduar që shpërndahej dhe injektohej pa licencën përkatëse.

Deri tani, policia ka arrestuar Mildon Kumarakun, administratori i kompanisë që merrej me kontrabandën dhe magazinimin e produktit të paligjshëm, si dhe dy administratoret e klinikave estetike, Xhuljana Mahmuti dhe Deisa Shehaj.

Sipas njoftimit të policisë, janë marrë masa ligjore ndaj disa shtetasve të tjerë, përfshirë A. T., J. B., J. Z., L. C., K. B., dhe E. Sh., të cilët gjithashtu ishin të përfshirë në këtë skandal.

Ndërkohë, Skerdi Faria, si dhe dy individë të tjerë, K. B. dhe A. F. B., janë shpallur në kërkim dhe policia po punon për kapjen e tyre.

Aktualisht, nuk dihet nëse Faria ndodhet në Shqipëri apo jashtë shtetit.

Ai është një personazh i njohur publik, i njohur për klientët e tij të famshëm, por deri tani nuk ka bërë asnjë reagim në lidhje me situatën, duke u mbajtur aktiv në Instagram me mbi 200 mijë ndjekës.