Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha sot se i Dërguari i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të shprehet sa i takon qëndrimit të Departamentit Amerikan të Shtetit në lidhje me vendimin për shpalljen “non grata” të Sali Berishës.

“Padiskutim që çështja e pandëshkushmëruisë sikundër politikat e sanksioneve “non grata” ishin pjesë e diskutimit. Sa i përket çështjeve që i takojnë vendimeve të Departamentit të Shtetit, jam i bindur që do keni mundësi të dëgjoni drejtpërdrejt nga zoti Escobar qëndrimet e DASH”, tha Basha.

Kreu i PD-së u shpreh se shumë shpejt do të jetë në Uashington. Edhe Escobar tha se pret që të takohet me kreun e PD në Amerikë.

“Është një ftesë e përsëritur dhe e mirëpres me kënaqësi. Po planifikoj një vizitë në Uashington në mënyrë që të shtyjmë përpara jo thjesht objektivat politike të PD, por atë që është sot axhenda e çdo familje shqiptare: dalje nga kjo gjendje dëshpërimi që ka shkaktuar 25 prilli dhe ecjen e Shqipërisë përpara”, shtoi Lulzim Basha.