Nga Oerd Bylykbashi

Prishja e shtepive te banoreve te Unazes se Madhe eshte antikushtetuese, jo thjesht e paligjeshme dhe sigurisht e padrejte!‎ ‎

Jo thjeshte sepse neni 41 i Kushtetutes garanton pronen private. Jo thjeshte sepse neni 41 kufizon shpronesimin vetem kur ka nje interes publik. Te identifikosh nje interes publik qe cenon qindra te drejta themelore te vecanta nuk eshte gje e lehte, nuk mund te jete thjeshte nje teke per nje projekt zhvillimi qofte edhe gjoja ne interes ‎te publikut.

Nuk po shpronesohen thjesht prona private, fjala vjen dyqan apo oborr, truall a dicka tjeter. Po shpronesohen shtepi banimi.

 ‎Kushtetuta ne nenin 59 i vendos shtetit si objektiv kushtetues "plotesimin e nevojave per stehim" te shtetasve. E vertete qe nuk eshte detyrim, por ‎mbetet nje objektiv qe detyron shtetin qe nese nuk ua ploteson te drejten per strehim, se paku te mos ua prishe catine qe shtetasit kane ndertuar vete me parate e tyre mbi koke. 

Neni 41 i Kushtetutes‎ detyron shtetin qe kur ta shpronesoje nje prone, t'i jape pronarit shperblimin e drejte. Por i vetmi shperblim i drejte per nje shtepi te shpronesuar eshte nje shtepi tjeter. Asgje me pak. Shteti nuk mund t'u jape thjeshte ca para dhe te thote "u lame bashke" sepse po u merr dy te drejta kushtetuese, pronen dhe mi te gjitha banesen e familjes.‎

Shtepia eshte prona me e rendesishme private e nje familjeje. Eshte me shume se prone, eshte shtepia ku mblidhet familja, ku ndjehet familje dhe e sigurt, qofte edhe nga shteti i cili nuk ia shkel dot pragun e shtepise pa urdher te gjykates. 

Nje grusht parash qe u jep shteti, qe nuk mundesojne pasjen e menjehershme te nje shtepie, nuk jane shperblim i drejte. Ndaj shteti duhet tu gjeje shtepi perpara se t'u marre shtepite. ‎Eshte antikushtetuese dhe e padrejte qofte edhe t'i lesh rrugeve derisa t'u gjesh shtepine. Ndaj revolta e tyre eshte legjitime. Po u terhoqen sot, humbasin te drejten e tyre perfundimisht.

Nese shteti nuk ua plotesoi nevojen per strehim sic thote kushtetuta, sepaku nuk mund t'ua heqe ate qe kane arritur vete. Nuk mund t'ua heqe qofte edhe me premtime per shtepi ne te ardhmen. As qeraja e paguar nga shteti perkohesisht nuk zevendeson pronen-shtepi te marre padrejtesisht. 

Do te dalin sharlatane e te thone qe i kane shtepi pa leje. Por per kete ka dale nje ligj, u ka krijuar nje te drejte per legalizim, pra nje "pritshmeri te ligjeshme" qe eshte parim kushtetues‎ dhe ka te beje me seriozitetin e shtetit qe funksionon e bazohet ne ligj te drejte. Edhe nese ka nje plan urbanistik te miratuar, nese plani eshte miratuar pas ndertimit te shtepive, se pari u lind banoreve e drejta e legalizimit dhe me pas e shpronesimit te drejte. Me pas vjen e drejta e shtetit te zbatoje planin.

Nuk eshte ceshtja se sa e kopsitur eshte prishja e shtepise-prone, me letra e vendime te ‎mbushura shpejt e shpejt sa per te qene ne rregull me letrat. Eshte e PADREJTE dhe pike! Por shteti nuk mund te sillet si i padrejte ne nje vend ku sundon shteti i se drejtes! Por sot nuk ka me dilema qe shteti i se drejtes, edhe nese ka qene i paplote, ka vdekur nen kembet e Edi Rames.

E drejta kushtetuese individuale dhe familjare per strehim eshte muri ku duhet te thyhet dhe te terhiqet pas ‎interesi publik. Pa zgjidhur me pare shteti strehimin e drejte te ketyre banoreve, interesi publik duhet te ndalet. Ne te kundert, rikthehet "interesi publik" i 1945 kur pronaret u flaken nga banesat nga komunistet qe zbriten nga mali dhe nuk njihnin ligjet, sepse keshtu e kerkonte publiku sipas tyre. Ne emer te po atij interesi shume u vrane edhe pa gjyq nga komunistet qe trashegohen me krenari nga keta qe sot jane ne qeveri.

Edi Rama e ka te huaj konceptin e Kushtetutes dhe ligjit qe mbrojne te drejten individuale perkunder "popullit", "publikut" apo "shtetit‎". Ai eshte nje barbar i ligjit. Por po aq pa strukture, si marmalate fiku, e ka konceptin e ligjit edhe Erion Veliaj. Dhe sado t'i stigmatizoje qytetaret e bashkise se tij qe po protestojne per shtepite e tyre si "shpellare", kjo nuk ia mpiks konceptin e tij per shtetin, por e ben po aq barbar sa Edi Rama. Mbetet nje toksine qe helmon interesin publik qe perbehet nga qindra e mijera te drejta individuale qe po shkelen.

Po fundja termi "shpellar" eshte fisnik ne kete diskutim. Shpella ishte shtepia dhe mbrojtja e njerezve perballe barbareve qe vrisnin, plackisnin dhe shkaterronin cdo gje. 

Ndaj keta "shpellaret" pleq, burra gra e femije qe sot protestojne per te drejten qe barbaret e pushtetit qendror dhe lokal, Edi Rama dhe Erion Veliaj, te mos ‎u prishin shtepite, kane po aq te drejte te reagojne sa kuksianet, te cileve ua penguan te hyrjen ne shtepine e tyre.