DURRËS, 31 korrik 2013 – Ish-propagandisti për edukimin e rinisë komuniste shqiptare, i caktuar nga Enveri si “gazetar” apo “analist”, është aktualisht drejtor i Qendrës Kombëtare të Artit dhe Kulturës (Q-KAK). Gjëja e parë që bëri ishte shprehja e urrejtjes ndaj festivalit “International Festival of Modern & Contemporary Dance” të Durrësit. Epo një shpellar komunist nuk mund të pranojë dansin borgjez të atyre banorëve që jetojnë buzë detit dhe sytë i kanë nga perëndimi. Petraq Prevazi, koreografi durrsak, pedagog në Universitetin e Artit, një personalitet kombëtar dhe ndërkombëtar i shkolluar në Paris, ka 7 vjet, që, përmes rropatjes dhe sakrificave të mëdha, organizon në Durrës dhe me zgjatim në Tiranë festivalin e përvitshëm ndërkombëtar “Albania Dance Meeting- Festival / International Festival of Modern & Contemporary Dance”, duke siguruar financime sa në bashkinë e Durrësit, sa në biznese, madje sa në ambasada dhe në një rast të vetëm në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Prevazi thotë: “Buxheti ynë i përftuar në vite ka qenë gjithmonë më i ulëti ndër festivalet e tjera, ndonëse ky festival është i vetmi i llojit të tij në Shqipëri. Në rastin më të mirë ne kemi përfituar 2 300 000 lekë nga MTKRS në 2010, ku dhe festivali organizoi 24 prezantime në Tiranë, Durrës, Fier e Elbasan”. Bashkë më veprimtaritë e filmit, muzikës së dhomës, Poetekën, edhe festivalin e dansit kontemporan Durrësi u identifikua në agjendën artistike evropiane si qytet i kulturës elitare. Por shpellarët e dikasterit, si Frrok Çupi nuk japin para për edicionin e 8-të të festivalit “Albania Dance Meeting-Festival”, ndonëse, sipas drejtorit të tij Gjergj Prevazi, “ka pasur rreth 46 aplikime, nga kompani të dansit kontemporan nga Gjermania, Spanja, Franca, Holanda, Belgjika, Hungaria, Italia, Zvicra, USA, Kanada dhe rajoni. Mund t’ju konfirmoj se ka qenë mjaft e interesuar për të ardhur një nga kompanitë e dansit më të mirënjohur sot në botë, bëhet fjale për “C de la B” nga Brukseli. Menaxheri kryesor i kësaj kompanie dansi ishte edhe personalisht këtu posaçërisht për t’u takuar, parë nga afër dhe për të gjetur rrugët e financimit të sjelljes e prezantimit në Tiranë. Ai e vlerëson shumë festivalin që unë drejtoj”. Prevazi thotë se po lufton të mos e humbin edicion e 8-të, por është shumë e vështirë. “Dyrrah”-u u bën thirrje bashkisë, bizneseve, OJQ-ve, madje qeverisë në ikje të ndihmojnë financiarisht për zhvillimin e veprimtarisë së fansit kontemporan në Durrës.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





